Pak ditë më parë u zhvillua një festë shumë e bukur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” me rastin e 50 vjetorit të lindjes së tij dhe Bledar Gjeçaj është ndjerë i lumtur në maksimum. Një vlerësim maksimal për të, pikërisht para tifozëve të shumtë shkodranë dhe legjenda e basketbollit shkodran nuk ka gjetur fjalë tjetër veçse t’i thotë Faleminderit Vllaznisë dhe Shkodrës.
Ai është pjesë e rëndësishme e historisë së basketbollit shkodran sepse ka fituar 5 tituj kampion si lojtar dhe 3 si trajner dhe me 8 tituj në total, është njeriu më i titulluar në basketbollin shkodran. Gjeçaj në një rrëfim për “Shkodra Sport” e vlerëson maksimalisht karrierën e tij teksa fillon ta përmend nga fillim e deri në fund kur thotë:
“E kam nis sportin 10 vjeç dhe në atë moshë nuk është se e ke ndërgjegjen e duhur për të menduar atë që mendojmë sot. Një ndër shtysat që unë të merresha me këtë sport, ka qenë një person i veçantë, ish- arbitri ndërkombëtar Frederik Bianku.
Me kalimin e viteve, Vllaznia ka qenë shtëpia jonë. Ka qenë vendi i gëzimeve të shumta, por edhe i momenteve të vështira. Emri i Vllaznisë për mua ka qenë gjithçka, ka qenë një ndër emrat më të mëdhenj të sportit në Shqipëri sepse jemi rritur me atë çfarë na kanë mësuar më të rriturit në lidhje me këtë emër që dalëngadalë u rrënjos në mendjen e secilit prej nesh.
Fanella e Vllaznisë ka qenë fanellë e rëndë sepse edhe kur luanim me ekipe të tilla si Partizani e 17 Nëntori, ata na vlerësonin shumë. Ishte një përgjegjësi e madhe të luaje për këtë skuadër. Imagjino, një natë para ndeshjes, kemi patur emocione të mëdha, madje shpeshherë nuk na zinte as gjumi i natës, ndërsa sot në fakt gjërat kanë ndryshuar.
Mua më ka ndodhur shpesh, edhe në moshë madhore, edhe kur kisha fituar tashmë tituj kampionë. Megjithatë përgjegjësinë më të madhe të përfaqësimit të Vllaznisë e kam ndjerë më së shumti si trajner
Kur kam qenë fëmijë, ëndrra ime e madhe ka qenë nëse një ditë do të bëhesha si Sokol Kalaj, Mikel Gjoni e sportistë të tjerë të shkëlqyer të atyre viteve. Por me mund, sakrifica e shumë djersë ia dola.
Kam dhënë një kontribut për basketbollin shkodran dhe në fakt nuk duhet t’i marr meritat për vete sepse basketbolli është sport kolektiv. Ndoshta kam patur edhe fatin të jem në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të qenë pjesë e asaj Vllaznie të shkëlqyer të atyre viteve. Jam krenar që i kam dhënë diçka qytetit tim në fushën e basketbollit”- ka thene ai per “Shkodra Sport”.