Mesfushori italian Jorginho mund të rikthehet në Serie A sezonin tjetër për të veshur fanellën e Juventus. Lajmin e konfirmon sot “sportmediaset”, që sqaron se 32-vjeçari mund të jetë zëvendësuesi i Adrien Rabiot, nëse francezi vendos të largohet.

Jorginho luan aktualisht me Arsenal në Premier League, por kontrata e tij me “topçinjtë” skadon në fund të sezonit. Për momentin nuk ka asnjë detaj se palët do ta rinovojnë atë, ndaj dhe italo-braziliani mund të largohet me koston zero më 1 korrik.

Jorginho, që prej vitit 2018 luan në Angli, fillimisht me Chelsea e më pas me Arsenal, ka luajtur më herët në Itali me Napoli, ndaj dhe drejtori sportiv i bardhezinjve Giuntoli e njeh mirë. Për të do të ishte një blerje e rëndësishme, për më tepër me parametrin zero.

Mesfushori, kampion i Europianit të fundit me Italinë, do të ishte gati të transferohej në Serie A, për të qenë regjizori i mesfushës së Juventus. Gjithsesi, edhe Arabia mund të këmbëngulë për Jorginho, ndërsa shanset që të qëndrojë në Londër janë të pakta./telesport/