Ish-gjyqtari dhe ish-shefi i gjykimit në FSHF, Plarent Kotherja, ka analizuar vendimin e Shoqatës së Arbitrave për bojkotin e kampionatit. I ftuar në emisionin “Sport News Plus” të gazetares Daljana Sejdia, në televizionin “News 24”, Kotherja u shpreh:
A ishte i drejtë vendimi për të bojkotuar kampionatin? A ishte kaq e rëndë situata?
Gjithë opinioni publik u ndesh me pamjet të tmerrshme. Kjo dhunë i krijoi anë negative sportit. Ky arbitër është dhe arbitër i UEFA-s. Vendimi i Shoqatës ka qenë me vend dhe ndoshta pak i vonuar. Duheshin ca sinjale me përpara, që mos vinim në këtë situatë.
Ne që në javën e parë jemi përplasur me dhunën. Çdo javë jam nëpër stadiume, të gjithë e mbajnë mend ndeshjen Skënderbeu-Partizani. Kemi pasur shumë simptoma të tilla. Kemi parë që policia private ishte komplet in-ekzistente. Askush nuk i ndalonte tifozët e armatosur me flakadanë dhe fishekzjarrë. Nuk ka asnjë lloj autoriteti mbi sportdashësit.
Ne duam të sigurojmë djemtë tanë. Kemi ekipin tonë të arbitrave. Duam të sigurojmë punën e tyre normale dhe jetesën e tyre. Shteti dhe FSHF të gjejnë një emërues të përbashkët dhe të zgjidhin këtë ekuacion.