Boksi është në prag të aktivitetit më të rëndësishëm, që është Kampionati Kombëtar i të rriturve, i cili për tre ditë, duke nisur që nga e enjtja, do të zhvillohet në sallën sportive “Farie Hoti”. Rikthehet kështu kampionati i të rriturve të boksi pas tre vjetësh në kryeqytet, ndërsa drejtori teknik i Federatës Shqiptare të Boksit, Enea Kovaçi, për RTSH Sport prezanton të rejat e këtij kampionati.

Kovaçi, në emër të Federatës Shqiptare të Boksit, ka treguar dhe pritshmëritë e tij nga ky aktivitet madhor i dorezave shqiptare. Por cilat janë peshat në të cilat do të mund të ketë më tepër konkurrencë? Si ish-boksier me rezultate të larta kombëtare e ndërkombëtare, Kovaçi pohon.

Në fund dhe një mesazh për të gjithë sportdashësit, të cilët duhet të vijnë në “Farie Hoti” për ta parë kampionatin dhe të mbështesin brenda rregullave të Fair-Play. Përfundimisht, kampionati kombëtar i boksit për të rritur është gati për ring. Ndiqni të plotë intervistën e drejtorit teknik të Federatës Shqiptare të Boksit, Enea Kovaçi, dhënë për RTSH Sport

– Rikthehet pas tre vjetësh kampionati kombëtar i boksit në Tiranë. Duke nisur nga e enjtja, çfarë risish do të ketë ky kampionat?

– Federata Shqiptare e Boksit, në bashkëpunim me klubin Tirana, këtë vit kanë vendosur ta organizojnë kampionatin elitë në Tiranë. Ndeshjet zhvillohen në sallën sportive “Farie Hoti”, nga ora 17:00 e në vazhdim, kjo në datat 7, 8 dhe 9. Ndoshta finalet mund të zhvillohen paradite duke nisur nga ora 11:00, sepse ka ndeshje basketbolli pas aktivitetit tonë. Risitë e këtij kampionati janë që shumë sportistë, të cilët janë shkëputur nga boksi shqiptar dhe që kanë zhvilluar ndeshje nëpër Evropë, do të rikthehen edhe një herë në ekipet e tyre të zemrës, apo të origjinës, të tilla si Vllaznia, Tirana, apo Flamurtari.

– Ju realisht çfarë prisni nga ky kampionat, apo në tërësi komuniteti i boksit?

– Në komunitetin e boksit normalisht nuk është se presim të kemi volum të madh, por pretendojmë dhe jemi shumë të sigurtë se në ndeshjet që do të zhvillohen do të ketë cilësi shumë të lartë. Sepse sportistët, të cilët janë federuar dhe njihen nga ne, jo vetëm këtu, por dhe nëpër Botë ku dhe stërviten, kanë shfaqur cilësi maksimale të boksit. Dhe pretendojmë që nga këta të nxjerrim një përfaqësuese mjaftë të mirë, rreth 4-5 sportista, të cilët do të na përfaqësojnë edhe në Kampionatin Ballkanik, i cili do të zhvillohet në Stamboll.

– Cilat janë peshat që mund të kenë më tepër konkurrencë dhe që prisni ju?

– Normalisht si në çdo sport peshat e mesme janë ato që japin intensitetin maksimal sportiv dhe që e ngrenë në këmbë stadiumin. Normalisht nisin tek 64, 69, 75, 81 kilogram, janë peshat që kanë edhe rivalitet, por edhe shumë pjesëmarrës. Kjo duke mos përjashtuar peshat, sepse dhe ato kanë konkurrencën e vet.

– Së fundi, a mund të ketë një mesazh nga Federata Shqiptare e Boksit për të ftuar publikun?

– Neve e kemi lënë hyrjen të lirë. Pretendojmë që këtë vit të mos vijnë vetëm ato që janë tifozë me sportistët, por të vijnë edhe qytetarët e lirë, adoleshentët, sepse boksi ndoshta mund t’i ndryshojë jetën atyre, sikurse na ka ndryshuar neve. Sepse kemi hyrë për të bërë boks për qejf e më pas na ka ndihmuar në të gjitha drejtimet e jetës. Na ka kthyer në profesionista. Boksi përveç anës fizike të ndihmon dhe psikologjikisht, moralisht, por të jep dhe një status në shoqëri.

Nuk je më një njeri i thjeshtë, pasi dhe shokët, apo dashamirësit, të shohin si një sportist dhe si një kampion. Shpresojmë që edhe publiku të mbetet i kënaqur, edhe trajnerët të na mbështesin duke mos pasur kontestime të shumta. Pasi duke mbajtur ato rregullin, duke zbatuar ata të parët rregulloren normalisht më pas edhe pjesa tjetër e publikut është e detyruar të pranojë çdo lloj vendimi e çdo lloj situate aty. Sepse nëse sportisti do të marrë shembull trajnerin, edhe publiku do të shohi trajnerin, pasi është ai menaxheri kryesor i të gjithë situatës në një ndeshje. Kjo si në publik, ashtu dhe brenda ringut.