Një tjetër sukses për boksierët shkodranë. Suksesi I rradhës vjen nga Prishtina, aty ku ata morën pjesë në turneun e organizuar për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë. Kristian Shytani, Asmer Bilali, Kristian Demaj dhe Nelson Hysa kanë qenë katër boksierët shkodranë që morën pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm ku kishte edhe boksierë nga Kosova, Sllovenia, Maqedonia dhe Serbia. Kështu, Kristian Shytani duke garuar në peshën 64 kilogramë  ka mundur boksierin bullgar Milan Zlatev. Në peshën 69 kilogramë, Asmer Bilali ka mundur bullgarin tjetër Vladimir Georgive ndërsa në peshën 81 kilogramë Kristian Demaj ka mundur në finale bullgarin Ristov duke zhvilluar një ndeshje shumë të bukur. Ndërkohë në peshën super të rëndë, boksieri tjetër I Vllaznisë Nelson Hysa ka fituar ndaj bullgarit Jankov. Në këtë mënyrë, pjesmarrja e boksierëve shkodranë në këtë aktivitet është mbyllur në mënyrën më të mundshme me 4 vende të para nga 4 boksierët pjesmarrës. Por përveç boksierëve të Vllaznisë, në të kanë marrë pjesë edhe 3 boksierë nga Tirana, që për koinçidensë kanë humbur të tre. Kjo tregon edhe për diferencën e madhe që boksierët shkodranë kanë në krahasim me ta jo vetëm në aktivitetet kombëtare por edhe në ato ndërkombëtare. Përveç vendeve të para në katër pesha, boksierët e Vllaznisë kanë marrë edhe kupën e sportistit më të mirë të aktivitetit që ka shkuar për Kristian Demën. Në këtë mënyrë, turneu I 100 vjetorit të Pavarësisë që u zhvillua në Prishtinë, është mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme për ta.

Gjergj KOLA