Ariol Zeneli është nënkampion Europe në boks për të rinj në Kampionatin që të enjten në mbrëmje ka përfunduar në Sofje të Bullgarisë. Në finalen e peshës deri në 51 kilogram, Zeneli ka patur përballë gjeorgjianin Gor Ajvazian.
Ky i fundit, edhe sipas gjykimit të pesë arbitrave anësorë, ishte më i përgatitur se vlonjati. Pikët janë të ngushta, të cilat në fakt shkojnë në favor të gjeorgjianit, i cili e ka merituar medaljen e artë duke fituar 4-1.
28-29, 29-28, 28-29, 28-29 dhe 28-29. E megjithatë për Ariol Zenelin dhe boksin shqiptar, apo dhe për trajnerin Gëzim Zeneli, kjo medalje e argjendtë, që vjen pas asaj të bronztë të Alban Beqirit në Kampionatin Botëror, është sukses.
Që tregon se sporti i dorezave në Shqipëri ka rritje dhe premton të tjera medalje ndërkombëtare.