Vllaznia do të përballet të shtunën me Partizanin, në një ndeshje ku do të kërkojë rikthimin te fitorja pas gjashtë javësh pa fitore në kampionat, të cilat e kanë vënë në “siklet” për arritjen e Kupave të Europës, sepse i kanë rrezikuar jo pak synimet e tyre.

Trajneri Plori po jep direktivat e fundit para kësaj sfide, duke e pasur të qartë se përballë nuk ka skuadrën e ndeshjeve të kaluara.

Për momentin, situata në kampin shkodran paraqitet e qetë dhe optimiste, pavarësisht mungesave si ajo e sulmuesit Da Silva për arsye dëmtimi.

Gjithsesi, masat janë marrë me kontigjentin, që Plori ka aktualisht në dispozicion, i cili pritet të hedhë në fushë lojtarët më në formë që ka aktualisht.

Mungesa e një lojtari kyç si Da Silva, në njëfarë mënyre ka detyruar trajnerin shkodran, Plori të bëjë lëvizje në formacion, në mënyrë që të rikuperojë sa të mundet dhe të mos prishë stilin e tij. Gjurgjeviç ka karakteristikat më të përafërta teknike me të, prandaj “regjia” pritet t’i besohet maqedonasit.
Maringlen ZHIVANI