
Ndonëse klubi shkodran tre ditë më parë përmes një deklarate për shtyp, i kërkonte mediave të ndryshme të mos abuzonin me merkaton e Vllaznisë duke lakuar çdo ditë emra të kotë, kjo histori vazhdon sërish. Ka ndodhur edhe ditën e sotme teksa në portale të ndryshme kanë qarkulluar sërish të tilla lajme. Diku shkruhej se drejtuesit kuqeblu janë shumë pranë akordit me portierin e kombëtares malazeze Mladen Bozoviç e po ashtu edhe për mbrojtësin Blazho Rajoviç. Lajme këto që kanë irrituar jo pak trajnerin Armando Cungu i cili për gazetën
shkodrasport.com do të deklaronte: “Sigurisht që nuk po marrim vesh se çfarë po bëhet. Ne jemi duke u përpjekur të bëjmë maksimumin për të gjetur lojtarë cilësorë por në fakt lexojmë e dëgjojmë çdo ditë emra të çuditshëm që në fakt asnjëherë nuk kanë qenë në planet tona. E kuptojmë që të gjitha këto bëhen për interesa të menaxherëve apo njerëzve pranë futbollistëve por nuk është mirë të veprohet kështu. Sot lexojmë diku që drejtuesit e Vllaznisë qenkan në kontakte me portierin e kombëtares malazez Bozoviç!!! Nuk e di nga dalin këto lajme. Ne nuk kemi asnjë lloj kontakti me këtë portier dhe nuk e dimë fare se kush është. Kemi planet tona për të gjetur një portier dhe prandaj jemi duke testuar disa të tillë por meqenëse qenka kaq i mirë ky Bozoviç, të na e sjellin se po e marrim menjëherë. Sa për emrin e Rajoviç, nuk bëhet fjalë të vijë tek Vllaznia. Nuk e kemi diskutuar asnjëherë këtë emër. Historia e tij është mbyllur me ne. Nuk jemi skuadër për të grumbulluar “pensionista”, prandaj edhe njëherë do ju kërkoja miqësisht gazetarëve që ju lutemi të bëni shumë kujdes për përmendni Vllazninë”.
© shkodrasport.com