Brazili ka hedhur pas krahëve ndeshjen e humbur me Argjentinën, teksa është rikthyer te suksesi në miqësore ndaj Koresë së Jugut. Pesë herë kampionët e botës kanë triumfur me rezultatin 3-0, ndërsa kanë shkëlqyer Paketa dhe Kutinjo.
Brazili e ka zgjidhur në 45 minutat e para ndeshjen ndërsa në minutën 9 hapën llogaritë e takimit. Ishte sulmuesi i Milanit, Paketa i cili u tregua i saktë brenda zonës.
Ndërkohë në minutën e 36 ishte radha për golin e Kutinjos. Lojtari i Bajern Mynih u tregua spektakolar nga goditja e dënimit, duke mos i dhënë asnjë shans portierit kundërshtar.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën në minutën e 60 Danilo vulosi fitoren. Mbrojtësi i Juventusit u tregua i saktë nga një goditje e fortë në hyrje të zonës.
Rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe Brazili ia doli të triumfonte duke zhvilluar edhe një lojë të bukur edhe pse thjesht një ndeshje miqësore./vipsport/