U kuptua që në paraqitjet e para se Silvio Junior do të ishte kalimtar në Shqipëri. 25-vjeçari ka bërë mjaft mirë këtë sezon me Vllazninë, pasi në 24 ndeshje ka shënuar 11 gola. Braziliani erdhi nga Chornomoretsi i Ukrainës, elita e futbollit të këtij shteti.
Ai kishte vuajtur jo pak në 3 edicione, pasi nuk kishte arritur të kthehej në titullar dhe nuk kishte shënuar asnjë gol. Rilindje te Vllaznia dhe tashmë karriera e tij do të marrë një drejtim tjetër.
Telesport zbulon se në përfundim të kontratës me shkodranët, Silvio do ta mbyllë kapitullin e kuqebluve, por dhe atë të Shqipërisë. Sulmuesi është mërzitur me problematikat në Shkodër dhe do që të provojë një ambient të ri ku të ndihet dhe më i vlerësuar në aspektin monetar.
Burime pranë lojtarit për Telesport bëjnë me dije se Silvio është pranë mbylljes së marrëveshjes në ligën e parë austriake. Ai mund të firmosë shumë shpejt me ekipin e St. Polten. Ekip mesatar në mesin e artë të tabelës së ligës austriake.
Kalimi i Silvios atje do të ishte sukses i madh, pasi nuk është e lehtë të kapërcesh nga Kategoria e Parë në elitën e futbollit austriak, megjithatë cilësitë e 25-vjeçarit janë mjaft të mira./telesport/