Goli i shënuar sot ndaj Dinamos ka qenë i 10-ti për të. Braziliani Silvio Rodrigues Pereira Junior po e bën mirë detyrën e tij për të shënuar për Vllazninë dhe për ta dërguar atë në Superligë.

Por pyetja që lind është nëse Junior bën edhe për Superligën apo jo? Para kësaj dileme janë mesa duket edhe drejtuesit e Vllaznisë që ende nuk i kanë propozuar rinovimin e kontratës.

Edhe në opinionin sportiv shkodran ka dyshime për këtë gjë sepse braziliani 24 vjeçar edhe në këtë kategori dhe sërish humb shumë raste shënimi.

Llogarite pastaj kur të ndeshet me mbrojtësit më të mirë të ekipeve të Superligës. Për këtë arsye, natyrisht që duhet pritur edhe pak për të marrë vendim nëse do të jetë në planet e skuadrës së sezonit të ardhshëm apo jo.

Edhe sot ndaj Dinamos, ndonëse shënoi golin e vetëm, atë të fitores, sulmuesi brazilian ka humbur raste të tjera të pastra shënimi. Gjithsesi, 10 golat e shënuar kanë ndihmuar mjaft Vllazninë për të qenë në pozitat ku ndodhet aktualisht dhe si shpërblim me siguri që e meriton një kontratë të re.

Për më tepër, që futbolli shqiptar po vuan për sulmues klasi dhe mbase tashmë që është përshtatur, Junior mund të japë edhe më shumë për kuqeblutë.
© shkodrasport.com