Vllaznia e tij po ia del shumë deri tani, teksa me në krye trajnerin Tomas Bërdariç, ahkodranët kanë grumbulluar pikë të plota në tre javët e para të kampionatit duke udhëhequr renditjen.

Ndërkohë, për Zona Gol në Supersport, trajneri Brdariç thekson se në Shqipëri ka ekipe që kanë lojtarë shumë të mirë, por nuk kanë grupin. Ai vlerëson faktin që në ekipin e tij ka shumë lojtarë me cilësi sportive, por edhe njerëzore.

“Ju kënaq të qenit në krye me pikë të plota?

Nuk duhet të shpërqendrohemi dhe të mendojmë se gjithçka është arritur. E vlerësojmë që jemi në këtë situatë, pasi na jep konfirmime që jemi në rrugën e duhur, por duhet të punojmë, sepse kampionati sapo ka filluar.

Ju shqetëson eurofia e skuadrës pas një starti si ky?

Nuk më shqetëson euforia, por e dimë që kemi shumë për të përmirësuar dhe na pret një punë e madhe përpara. Jemi me këmbë në tokë dhe mund të përmirësohemi shumë më tepër, nëse punojmë me seriozitetin e duhur. Lojtarët kanë një harmoni mjaft të mirë mes tyre dhe kanë punuar shumë për të qenë këtu.

Si ju duket kampionati shqiptar?

Besoj se shumë skuadra kanë lojtarë mjaft të mirë në përbërje. Çdo skuadër ka yllin e saj, megjithatë ka shumë ekipe që kanë yje, por u mungon grupi. Kam parë edhe Tiranën ndaj Young Boys-it dhe mendoj se këtu duhet të ndryshohet mentaliteti brenda ekipit, pasi kanë lojtarë të mirë, por u mungon grupi.

Sa kohë duhet që të rikthehet Vllaznia e madhe?

Në Shkodër të gjithë presin rezultate pozitive dhe kjo është e qartë, por besoj se janë realistë. Është investuar shumë për rritjen e ekipit dhe ka nevojë për akoma më shumë investime, por kemi një president të ri, që po përpiqet të krijojë kushtet e duhura për ndërtimin e një skuadre konkurruese.

Këtë sezon duket se keni gjetur edhe goleadorët që i kanë munguar Vllaznisë vitet e fundit…

Sigurisht që kemi lojtarë që shënojnë gola, megjithatë në fushë nuk llogariten vetëm ata, por edhe lojtarët që mbrojnë. Nuk dua të bëj krahasime me kohë të tjera, por them se kemi marrë lojtarë cilësorë dhe me shumë vlera sportive e njerëzore. Duam të punojmë me lojtarët që kemi aktualisht, për të pasur një të ardhme akoma më të mirë.

A besoni te titulli kampion?

Nuk dua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. E di që po flitet për titull, por është ende shumë herët.