Vllaznia do të jetë të dielën mysafire e Partizanit në “Elbasan Arena”, ndeshje e vlefshme për javën e tretë të Kategorisë Superiore. Skuadra e trajnerit Brdariç ka shfaqur probleme në fazën difensive në këtë fillim sezoni, pasi në çdo ndeshje të luajtur, Superkupë, kampionat dhe Kupë ka pësuar gol.

Tomas Brdariç e vlerëson shumë Partizanin, jo vetëm për lojtarët cilësorë që ka në përbërje, por edhe për faktin se udhëhiqen nga një trajner me eksperiencë të madhe si Ilir Daja.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” një ditë para përballjes Partizani-Vllaznia në “Elbasan Arena”, gjermani që drejton shkodranët theksoi se është shumë e rëndësishme që nga ky takim ekipi i tij të dalë me pikë duke lënë të kuptohet se edhe një barazim do të cilësohej rezultat pozitiv.

Trajneri kuqeblu pranoi se e shqetëson mënyra se si po i pëson golat skuadra në këto javë të para, ndërsa foli edhe për Herald Markun dhe Dajan Shehin, të cilët do të jenë kundërshtarë të Vllaznisë. Brdariç dha një përgjigje edhe pse ekipi ka një mbipopullim në fazën sulmuese, ku gati tetë lojtarë luftojnë për vetëm tri vende.

A ju shqetëson fakti se ekipi që drejtoni ka pësuar gol në çdo ndeshje në këtë fillim sezoni dhe si mund ta rregulloni këtë gjë?

Sigurisht që duhet të përmirësohemi në fazën mbrojtëse. Thelbësore është që të vazhdojmë punën dhe të krijojmë stabilitet në mënyrë që të kemi balancë midis fazës sulmuese dhe veprimeve në mbrojtje.

Si e prisni ndeshjen me Partizanin dhe a keni ndonjë gjë që ju shqetëson para kësaj sfide?

Partizani ka një skuadër të mirë, lojtarë të spikatur, si dhe një trajner me eksperiencë. Ata nuk kanë pse të dëshmojnë asgjë, ne duhet t’i përballojmë me forcën tonë.

Do të përballeni në këtë takim me dy ish-lojtarë që i stërvitët sezonin e shkuar, Marku dhe Shehu. A keni diçka për t’u thënë atyre në prag të duelit? 

Heraldi dhe Dejani ishin pjesë e Vllaznisë së sezonit të fundit dhe e suksesit të ekipit. Tani ata luajnë në anën e kundërshtarit. Për mua ata janë djem të mrekullueshëm dhe me pasion për të luajtur futboll.