Flamurtari mbushi dje 100 vjeç. Edhe pse 23 marsi është themelimi i klubit, është vendosur që festimet të mbahen të shtunën e 25 marsit. Kontribut të çmuar në këtë histori shekullore ka dhënë edhe Vasil Ruci, një nga legjendat e këtij klubi.

Ish-sulmuesi mendon se kulmin kuqezinjtë e kanë pasur në kohën e artë kur ndeshej me Partizanin e Beogradit dhe Barcelonën. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, flet edhe për të ardhmen. E shikon zgjedhje perfekte uljen në stol të italianit Diego Longo, ndërsa ngjitjen nuk e diskuton. Bashkë me vlonjatët sheh në elitë edhe Skënderbeun, ndërsa Dinamon e përjashton.


Ruci dje, 100 vite Flamurtar. Cilat janë emocionet?

100-vjetori i Flamurtarit nuk është thjeshtë për njerëzit që kanë kontribuar, por i një historie që përfshin gjithë qytetit tonë. Të gjithë ata që e kanë përkrahur dhe duartrokitur në të gjithë llojet e e sporteve, duhet të festojnë këtë ditëlindje shekullore. Është kënaqësi që të jesh pjesëmarrës në 100-vjetor, për një histori që ne pretendojmë që e kemi të lavdishme.


Çfarë mund të na veçoni në këtë 100-vjetor?

Në përgjithësi çdo njeri për kohën e tij ka histori të bukura. Fatkeqësisht te ne është, se duhet të dinim edhe historinë se si është krijuar dhe se si kanë qenë njerëzit. Mirë që festohen këto 100-vjetore dhe fillojmë e kërkojmë nga historia për të nxjerrë sa më shumë për këtë ekip. Unë pretendoj se edhe gabim të bëhen disa gjëra, më mirë të bëhen, pasi korrigjohen vitin tjetër. Për ne është e rëndësishme që të bëhen.


Cilat skuadra ngjiten sipas jush në Superiore?

Për mua ngjitet Flamurtari dhe Skënderbeu.


Pse e përjashtoni Dinamon?

Nuk e shoh që të ngjitet pasi nuk ka ndonjë ekip me vlera. Unë besoj te Flamurtari dhe Skënderbeu.