Thomas Brdariç ka mbetur i kënaqur me atë që ka parë nga skuadra e tij në miqësoren kundër Burrelit. Kuqeblutë fituan me shifrat 2-1, por tekniku ka pëlqyer mënyrën se si u paraqit skuadra edhe pse vinte nga një periudhë me ngarkesa të mëdha fizike.
Pas sfidës, ai ka vlerësuar afrimet e reja në ekip, ndërsa ka folur edhe për mungesën e madhe, atë të Viktor Da Silva, i cili ka kërkuar largimin nga kuqeblutë.
“Për mua ishte e rëndësishme që të luajmë thjeshtë, të përdorim mundësitë që kemi në avantazhin tonë. Në të dy pjesët kam parë shumë gjëra të mira. Por në këtë situatë kemi këmbë të rënduara. Në mëngjes kishim një stërvitje me ngarkesa të larta fizike dhe tani këmbët janë pak të lodhura. Por mendoj se në përgjithësi ishte një paraqitje e mirë.
Të rinjtë? Në përgjithësi jemi të lumtur se është fundi i javës dhe çdokush është i lodhur. Por mendoj se me Herliç kemi gjetur një lojtar të mirë dhe e tregoi për sa luajti, ndërsa edhe Ante në pjesën e dytë tregoi në disa raste se mund të jetë vendimtar. Mendoj se bëmë një punë të mirë.
Ne kemi filluar punën por nuk kishim as Da Silvan dhe as Latifin, të cilët nuk mund të stërviteshin. Kemi lojtarë që mund të përfshijmë në lojën e ekipit. Nuk mund të ndryshojmë ekipin plotësisht, jam i kënaqur me çfarë kemi dhe mendoj se ky është ekipi për sezonin e ri.
Miqësoret? Javën tjetër do planifikojmë dy ndeshje të tjera, por duhet t’i caktojmë. Megjithatë, deri në ndeshjen ndaj Teutës mendoj se do të luajmë përsëri miqësore.
A do të jetë Da Silva pjesë e Vllaznisë? Po, do të jetë, mendoj se Viktor, është një lojtar i mirë për ne, ka treguar në sezonin e kaluar paraqitje të mira këtu. Pse nuk duhet të qëndrojë? Ai ka thënë në gazetë se i ka kërkuar Alban Xhaferit që të largohet nga klubi por mendoj se ka ndërruar mendje”, tha Brdariç.