Dejvi Bregu ishte një nga lojtarët më të mirë te Teutës kampione këtë sezon. Sulmuesi vlonjat veç titullit kampion me durrsakët fitoi edhe Këpucën e Artë pasi shënoi 16 gola duke parakaluar sulmuesin e Kukësit, Eze. Në një prononcim për “Fax Sport”, Bregu tregoi emocionet e fitimit të titullit, të ardhmen, ndërsa u shpreh se dëshiron që Kupën ta fitojë Skënderbeu dhe jo Vllaznia.
“Kampionati ishte i komplikuar pasi ishin shumë skuadra në luftë për titull. Kampionati shijon në çdo mënyrë, por dje ishte më i veçantë pasi ishte me anë të golavarazhit dhe besoj se e bëmë detyrën duke shënuar 6 gola dhe e merituam ne titullin.
E meritoje Këpucën e Artë? “Synimi i vetëm ka qenë titulli me Teutën dhe jo Këpuca e Artë. Doja që me golat e mi t’i jepja pikë Teutës për të fituar kampionatin. Kam marrë shumë urime, urimi më i veçantë ka qenë nga familja ime dhe kjo Këpucë shkon për ata.
Të gjithë më kanë komplimentuar dhe më kanë përkrahur në këtë rrugëtim dhe besoj se e kanë merituar këtë trofe si trajneri Martini po ashtu edhe presidenti Hasanbelliu që kishte kaq shumë vite që e priste këtë trofe. Premio? Është goxha e mirë dhe jemi shumë të kënaqur.
Kam dashur që në fillim të sezonit të shënoja 15 gola dhe do të ishte një nga sezonet e mi më të mirë, por që zoti të jep atë që meriton dhe e kalova edhe këtë limit të golave. Për mua rëndësi kanë pasur golat që do t’i jepnin pikë Teutës dhe kjo është më e rëndësishme për mua”.
Mbrojtësi që të ka vendosur në vështirësi? “Nëse ka një mbrojtës që më ka vendosur në vështirësi gjatë gjithë kohës që kam luajtur në Superligë, ka qenë Kristi Vangjeli. Është një nga lojtrët më të mirë të kampionatit shqiptar, ish lojtar i Kombëtares shqiptare dhe eskperienca e tij e madhe bën që edhe mua të më hapë shumë vështirësi.
Kampionati cilësor? “Padiskutim që ishte një nga kampionatet më cilësore pasi ishim 4 skuadra që luftonin për titullin kampion”.
Deklaratat e Brdariç, Duros dhe Dajës? “Nuk kam asnjë koment, janë punët e tyre. Di gjë që Apolonia tentoi të na prishte festën, por ne fituam dhe jemi kampion të denjë të këtij kampionati”.
E ardhmja? “Për të ardhmen nuk kam folur dhe nuk flas. Kam kontratë me Teutën deri pas Kupave të Europës. Objektivi im si çdo lojtar tjetër është të ngjitem në majat më të larta, por këtë do ta tregojë koha. Nuk kam çfarë të them për Kombëtaren pasi nuk është në dorën time. Sa të luaj futboll do të bëj maksimumin pastaj gjërat e tjera do i tregoja koha.
Kupa e Shqipërisë, kujt ia uroni këtë trofe? “Normalisht Skënderbeut pasi kam kaluar dy vite shumë të mira në Korçë dhe shpresoj me gjithë zemër që Kupën ta fitojë Skënderbeu. Pushimet? Klubi na ka lënë 10 pushime e më pas do të kthehemi për stërvitje për Kupat e Europës”./newsport/