Emanuele Ndoj ka rinovuar para pak ditësh kontratën me Brescia-n dhe deri në vitin 2022 do të mbetet pjesë e skuadrës italiane, që sivjet do të synojë rikthimin në Serie A.

Ndërkohë së fundmi mësohet se klubi italian po tenton të afrojë një tjetër futbollist shqiptar, që e njeh mirë kampionatin italian.

Sikurse raportohet në mediat e vendit fqinj, menaxheri Sokol Haxhia ka biseduar me drejtuesit e Brescia-s për kalimin e shkodranët në këtë ekip.

Haxhia është edhe menaxheri i Emanuele Ndoj dhe Brijan Ibrahimit, sulmuesit që “dallëndyshet” në janar e huazuan te Chievo.

Marrëdhëniet e tij me drejtuesit e Brescia-s janë mjaft të mirë dhe një lëvizje e tillë mund të bëhet realitet. Gjithsesi duhet gjetur një zgjidhje për kontratën që sulmuesi anësor ka me Pro Vercelli-n, që sezonin e ardhshëm do të garojë në Lega Pro.

Vajushi ka edhe një vit kontratë dhe Avellino, klubi ku luajtur në gjashtë muajt e fundit në huazim kërkon ta mbajë sërish.

Gjithashtu edhe Carpi është interesuar për anësorin, madje në mediet italiane është raportuar se ka pasur një marrëveshje me lojtarin dhe menaxherin e tij. Tanimë në mes është Brescia.

Vajushi është një produkt i Vllaznisë së Shkodrës dhe për herë të parë jashtë vendit ka luajtur në Bullgari, kur u shit për rreth 100 mijë euro nga kuqeblutë te Litex Lovech.

Më pas shkodrani u transferua te Chievo, por nuk mundi të luante dot në Serie A. Në B ai është aktivizuar me skuadra si Livorno, Pro Vercelli dhe Avellino . /EDS/