Shoqëria e njohur britanike “Futures Sports&Entertainment” ka blerë zyrtarisht 100% të aksioneve të skuadrës së njohur italiane të futbollit, Palermo Calcio, që militon në Serinë B.
Lajmi është konfirmuar sot në mbrëmje përmes një komunikate zyrtare nga klubi italian i futbollit, që deklaroi se ish-presidenti Zamparini ia ka shitur kuotat e tij shoqërisë britanike. Zamparini njihet si një president problematik në futbollin italian, që shkarkon 2-3 trajnerë në vit.
Në fakt, ky lajm kishte disa ditë që qarkullonte, por që vetëm sot është zyrtarizuar nga klubi italian. Madje dje u tha se Zamparini e kishte shitur skuadrën e tij për shumën qesharake të 20 eurove, por se blerësit e rinj kishin mbartur edhe të gjitha borxhet që kishte ish-presidenti. Pjesë e projektit është edhe një ish-yll i futbollit britanik si David Platt, që ka luajtur në Serinë A.
Presidenti i ri, Clive Richardson, përmes një komunikate për mediat, tha: “Jemi një grup investitorësh, të gjithë britanikë, por mendojmë se në të ardhmen edhe njerëz të tjerë do t’i përfshihen kësaj nisme. Ne po krijojmë një strukturë solide dhe besojmë te skuadra e Palermos, për ta rikthyer në Serinë A”. Nesër pritet një takim mes pronarëve të rinj dhe skuadrës./telesport/