Bujar Pregja, ish-gjyqtar ndërkombëtar dhe pjesëtar i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, ka bërë moviolën për supersfidën mes Vllaznisë dhe Teutës, e cila u mbyll në barazim 1-1. Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Pregja tha se vendimet në “Loro Boriçi” ishin të sakta dhe VAR dha një ndihmesë të madhe.

“Asnjë nuk ka thënë që me VAR do eliminohen 100% gabimet. Besoj se në këto 2 javë, kanë treguar se kjo teknologji vlen dhe do jetë një ndihmë e madhe për kampionatin.

Teuta-Vllaznia ishte një ndeshje e bukur, mendoj se edhe arbitri iu përgjigj lojës. Todorovski duhej ndëshkuar që në fillim me të kuq, por pozicioni i arbitrit dhe ishte i tillë. Ndërhyrja e VAR vendosi kartonin e kuq. VAR ndërhyn kur është fakt.

Arbitri akordoi penallti në minutën e 49-të për Vllazninë, me të drejtë, por VAR ndërhyri dhe akordoi pozicion jashtë loje.

Momenti i fundit është goli i anuluar. Kishte një vonesë, sepse ishte rast i vështirë. Pozicion jashtë loje, ishte lojtari i parë. Golin e shënoi Çoba që nuk ishte pozicion jashtë loje, por lojtari para tij mori pjesë në aksion dhe ishte pozicion jashtë loje.

Unë mendoj që në të gjitha ndeshjet e javës së parë dhe të dytë, VAR ka dhënë një ndihmesë të madhe.”, tha Pregja.