Ndeshjet e fundit të këtij sezoni po I shërbejnë stafit drejtues të Vllaznisë edhe si seleksionim për elementin e ri. Këtë e ka konfirmuar vetë trajneri Artan Bushati. Në një prononcim për mediat, ai ka bërë të ditur se punën që ndoshta duhej ta bënte pak më vonë dhe me shumë mundësi nuk do kishte kohën e duhur për ta bërë ashtu siç duhet, po e bën tani. Aktivizimi në ndeshjet e fundit të kampionatit I elementit të ri por edhe në ndeshjet miqësore që po zhvillohen skuadra shkodrane së fundi, e kanë ndihmuar stafin e trajnerëve të kenë një ide të qartë për secilin futbollist të ri.
Një lloj testi ka qenë edhe pjesmarrja në kupën “Dodë Tahiri” që u zhvillua dy ditë më parë në Shkodër ku përveç Vllaznisë morën pjesë edhe Partizani e Ada. Paraqitja e të rinjve kuqeblu nuk ka qenë aspak e mirë, madje ata janë mundur në finale nga Ada. Duke folur në lidhje me këtë aktivitet, trajneri Bushati do të thoshte: “Pjesmarrja në kupën “Dodë Tahiri” ka qenë në kuadrin e përgatitjeve për ndeshjen e fundit të kampionatit, atë që do luajmë me Kastriotin. Ishte një tjetër mundësi për futbollistët e rinj për të treguar vlerat e tyre. Edhe në ndeshjen ndaj ekipit krutan pra do të luajmë me këta futbollistët e rinj. Ne si staf po bëjmë maksimumin që secili prej këtyre futbollistëve të jetë I bindur për vlerat reale që ka dhe si të tillë ata u shfaqën edhe në miqësoren me Adën”. Që ndryshe do të thotë se përderisa janë mundur edhe nga një skuadër inferior si Ada, ata pak vlera kanë dhe me shumë mundësi, shumë prej të rinjve që janë aktualisht pjesë e Vllaznisë, nuk do jenë më në rradhët e saj sezonin e ardhshëm. Bushati ndoshta nuk e ka thënë krejt qartë këtë gjë megjithatë është kuptuar nga reagimet e tij ndaj sjelljeve të këtyre futbollistëve në fushën e lojës. Vetë trajneri aktual I kuqebluve e konsideron fat për këta lojtarë të rinj mundësinë për të testuar veten në ndeshje të tilla. “Kemi patur fatin që në këto ndeshjet e fundit të këtij kampionati të jemi në pozita komode në renditje dhe kemi patur mundësinë që t’I shohim nga afër vlerat e tyre në mënyrë që të jemi plotësisht të bindur për vendimet që do marrim për sezonin e ardhshëm”- ka thënë ai. Në kushte të tilla duket se në Shkodër drejtuesit aktualë të Vllaznisë nuk kanë ndër mend t’I presin shumë këta të rinj të tregojnë vlerat e tyre. Prandaj dhe ata po shohin në pista të tjera. Më e afërta duket ajo në vendin fqinj, Malin e Zi. Kontaktet kanë nisur prej ditësh dhe ditën e djeshme, Bushati dhe presidenti Çela kanë udhëtuar për atje. Këtë e ka konfirmuar vetë trajneri I skuadrës shkodrane që ka thënë: “Sot (dje) do udhëtojmë drejt Malit të Zi për të kontaktuar me katër- pesë lojtarë dhe mbi bazën e kësaj do bëjmë edhe vlerësimet për një të ardhme të Vllaznisë sa më të mirë”. Në këtë mënyrë duket se gabimet do përsëriten sërish. Po shihet tregu malazez I futbollistëve që në fakt nuk është se ka sjellë ndonjë “mall” të mirë dhe për rrjedhojë lekët kanë shkuar në më të shumtën e rasteve kot.