Megjithëse ka mbetur edhe një javë nga përfundimi i kampionatit dhe sezoni i ardhshëm duket paksa larg, drejtuesit e Vllaznisë kanë nisur të mendojnë që tani për futbollistët që do mbajnë në ekip për kampionatin e ri. Mësohet se një pjesë e mirë e lojtarëve të rinj, të cilët kanë qenë pjesë e kuqebluve gjatë kampionatit të kaluar, do vazhdojnë të qëndrojnë sërish te Vllaznia. Kështu, nga burime pranë klubit mësohet se me shkodranët do të qëndrojnë sërish Enis Gjokoviç, Elvis Halluni, Elvin Beqiri, Amarildo Belisha, Antonio Marku, Arsen Hajdari, Ndriçim Shtubina, Jurgen Gjini, Arsin Tafili, Florind Bardulla, Arsid Kruja dhe Bekim Dema.


Ata, sipas të gjitha gjasave, do të jenë sërish nën urdhrat e trajnerit Artan Bushati. Gjithashtu, pritet që në skuadër të afrohen edhe lojtarë të talentuar nga akademia.

Largimet Nga ana tjetër, një pjesë e titullarëve si Dritan Smajli, Mirosllav Vujadinoviç dhe Kristian Dragoi ende nuk kanë vendosur zyrtarisht nëse do të jenë pjesë e kuqebluve ose jo. Nga vetë lojtarët mësohet se ata dhe drejtuesit e klubit ende nuk kanë filluar kontaktet për sezonin e ri. Megjithëse nuk dëshirojnë që të flasin publikisht për këtë çështje, larg mikrofonave bëhet e ditur se ata e shohin veten më shumë larg Vllaznisë se sa pranë kësaj skuadre. Rasti konkret është ai i Dritan Smajlit, për të cilin mësohet se Flamurtari ofron 65 milionë lekë të vjetër kundrejt 42 milionëve që merr aktualisht te Vllaznia. Në drejtim të Smajlit, Vujadinoviç dhe Dragoit kanë mbërritur disa oferta me shuma që, sipas tyre, janë më joshëse se ato që u afron ekipi i Vllaznisë. Deri tani ata e shohin të ardhmen e tyre larg ekipit të Vllaznisë, për më tepër edhe për faktin se ende nuk duket se janë të bindur për të ardhmen e kësaj skuadre, pavarësisht atyre që deklaron presidenti Agron Çela. Ndërkaq, drejtuesit e klubit prej kohësh kanë dhënë një verdikt që nuk do të jenë pjesë e Vllaznisë për të ardhmen Halim Begaj, Ivan Deliç e Ilir Nallbani. Të tre lojtarët prej disa javësh nuk janë në planet e teknikut Artan Bushati, pavarësisht se vijojnë pa ndërprerje stërvitjen me ekipin. Të tre lojtarët kanë qenë pjesë e formacionit të kësaj skuadre këtë sezon. Madje, kosovari Nallbani nuk ka munguar në asnjë takim të javëve të para që tekniku Bushati e ka drejtuar ekipin e Vllaznisë.

 

Admir URUÇI