Alban Bushi mendon se tani ka ardhur koha që Lionel Mesi të fitojë titullin Kampion Bote. Duke folur në “Qatar N’24” në “News 24”, ai theksoi se ndoshta edhe kjo trysni që është krijuar rreth tij, e ka shtyrë të shpërthejë siç ndodhi pas ndeshjes ndaj Holandës.
“Po ta shohësh, Mesi është i drejtpërdrejtë si djalë. Atij i dukej sikur i është bërë padrejtësi dhe ka shpërthyer. Në momentin që fiton, të duket sikur fitove mbi gjithçka e do të shprehesh. Por në përgjithësi Mesi nuk është ky lloj tipi, se edhe pse ka bërë fitore të mëdha, ka qëndruar qetë.
Por ka ardhur momenti që Mesi ta marrë këtë Botëror. Edhe ai e ndjen veten shumë afër. Mendoj se është Botërori i Mesit. Argjentina është favorite jo vetëm prej Mesit, por për shkak të traditës, gjithmonë është favorizuar.
Ajo Kroacia më duket sikur i ka ardhur fundi, mendoj se Argjentina do të dalë spektakolare. Mendoj se do të shohim një Argjentinë shumë të bukur, se edhe Kroacia nuk mendoj se do luajë si me Brazilin, gjithë kohën në mbrojtje”, tha Bushi.