La Fiorita duket se i ka humbur të gjitha shpresat për të përmbysur rezultatin ndaj Ballkanit, në ndeshjen e dytë të Conference League. Skuadra nga San Marino humbi ndeshjen e parë në shtëpi javën e kaluar me rezultatin 4-0.

Ky ekip ka marrë rrugën drejt Kosovës, për të zhvilluar ndeshjen e kthimit me kampionët e Ballkanit. Megjithatë, në ndeshjen që do të luhet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Fadil Vokrri”, miqtë do të jenë me disa mungesa, pasi atyre do t’iu mungojnë katër futbollistë.

Lunadei, Zafferani, Vitaioli dhe Pellegrino nuk do të jenë prezent në Kosovë për ndeshjen e kthimit. Kjo jo për shkak të dëmtimeve apo të kartonëve, por televizioni “San Marino RTV” njofton se, këta katër futbollistë do të mungojnë “për arsye pune”. Pra, ata kanë zgjedhur punën para ndeshjes me Ballkanin në Conference League.

Ky fakt pasqyron gjendjen e ekipit nga San Marino, futbollistët e të cilit herë pas here, kanë prioritete të tjera para futbollit. Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe La Fioritas, do të luhet mbrëmjen e sotme, duke filluar nga ora 20:00.

Maringlen ZHIVANI