Ish-kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, beson se skuadra shkodrane i ka të gjitha shanset për të arritur kualifikimin ndaj rumunëve të Universitatea Kraiovës. Tashmë në rolin e një trajneri, ish-mesfushori e ka ndjekur me shumë vëmendje ndeshjen e parë dhe ajo që nuk i ka pëlqyer është fakti që kundërshtari u vlerësua më shumë se ç’duhet dhe jo sa mund ta meritonte.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Lika tregon rrugën se si Vllaznia mund t’ia dalë në ndeshjen e së enjtes në Kraiovë. Ai është i bindur se trajneri Josa do të bëjë disa ndryshime në formacion, në krahasim me ndeshjen e parë në “Loro Boriçi”.
Gilman, çfarë përshtypjeje ju la ndeshja e parë kundër Universitatea Kraiovës?
Mendoj se ishte një ndeshje me dy tablo. Pjesa e parë nuk ishte e mirë për Vllazninë, pasi rumunët u treguan më këmbëngulës. Ndërsa pjesa e dytë mund të them se ishte shumë e mirë për ekipin tonë. Jo vetëm që arritëm të barazonim shpejt, por edhe e vendosëm në vështirësi kundërshtarin në momente të caktuara.
Barazimi në “Loro Boriçi” ishte rezultati më i mirë për ju?
Po, barazimi ishte rezultati më i drejtë për mënyrën se si rrodhën ngjarjet dhe u zhvillua loja. Ky barazim të jep shpresë për ndeshjen e kthimit, duke qenë se tashmë është hequr edhe rregulli i golit në fushë kundërshtare.
Çfarë duhet të ketë më shumë kujdes Vllaznia në ndeshjen e së enjtes?
Si fillim, duhet ta vlerësojë kundërshtarin aq sa e meriton. Pra, jo më shumë se ç’duhet, siç bënë në ndeshjen e parë. Duhet që tani të luajmë me kujdes para dhe të shikojmë që të mos rrimë vetëm në pritje.
Sa shanse mendoni se ka skuadra për një kualifikim të mundshëm?
Nëse çdo lojtar jep 120% nga vetja, besoj se do të kemi shanset tona te kjo ndeshje. Unë besoj deri në fund se mund ta kalojmë.
Prisni ndryshime në formacion, duke iu referuar edhe asaj që ndodhi në ndeshjen e parë?
Profesor Mireli e di më mirë këtë, por nga ajo që unë pashë në ndeshjen e parë, mendoj se ka për të bërë disa ndryshime në këtë takim të kthimit.
Ju thatë që duhet të kenë kujdes para dhe të mos qëndrojnë në pritje, ka diçka tjetër që ekipi mund të korrigjojë ndaj rumunëve?
Së pari, lojtarët duhet të kenë më shumë besim te vetja, sidomos pjesa e sulmit dhe mesfushës. Vetëm kështu mund të krijojnë raste për gol.
Kjo u pa qartë edhe në aksionin e golit, ku Çoba, Marku dhe Hoxhaj kombinuan shumë mirë pasi guxuan. Skuadra ka nevojë nga këta lojtarë që të krijojnë disa raste shënimi gjatë ndeshjes, sepse i kanë cilësitë për ta shfrytëzuar këtë gjë. Shpresoj që të bëjnë mirë këtë në ndeshjen e kthimit dhe me pak fat të realizojmë. Sigurisht, këtë herë duhet të mbrohemi më mirë dhe përqendrimi të jetë maksimal.
Në ndeshjen e parë debutuan qendërmbrojtësi Juriç dhe mesfushori Boshnjaku. Cili është komenti juaj për lojën e tyre?
Për mendimin tim, kanë bërë paraqitje pozitive, aq më tepër që ishte ndeshja e parë e tyre dhe para publikut shkodran.