Isli Hidi është lojtari më i ri i Vorës. Burime të besueshme pranë 41-vjeçarit bëjnë me dije për Newsport.al që portieri i njohur ka zgjedhur të vijojë aventurën në Kategorinë e Dytë. Projekti ambicioz i vorakëve dhe eksperienca e Hidit në kampionatin shqiptar kanë sjellë marrëveshjen e radhës.

Ai ka firmosur një kontratë që e lidh me Vorën deri në fund të sezonit të ri. Drejtuesit e klubit të Kategorisë së Dytë po tregohen seriozë me objektivat e tyre duke bërë të binden shumë lojtarë me eksperiencë në kampionatin shqiptar.

Të njëjtat burime tregojnë për Newsport.al që pranë akordit është edhe Artur Magani. Sulmuesi që ka provuar edhe shijen e elitës është në negociata të avancuara, teksa detaje të vogla e ndajnë nga firma. Kësisoj, skuadra e Vorës bëhet seriozisht pretendente për t’u kthyer në Kategorinë e Parë.

Me trajnerin Artan Mërgjyshi në krye, vorakët priten të jenë skuadra për t’u mundur në edicionin e ri futbollistik. Shumë afrime cilësore brenda pak ditëve dhe së fundmi është Magani njeriu që mund t’i vërë kapakun merkatos së tyre.