Mëngjesin e së martës, tre boksierë të kombëtares shqiptare, të shoqëruar nga trajneri Jozef Sermi do të nisen drejt Ukrainës për të marrë pjesë në Kampionatin Europian që do të zhvillohet në datat 16-24 qershor. Boksierët tanë që do të marrin pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm janë pikërisht Krenar Zeneli që do të konkurrojë në peshën 56kg, Arjon Kajoshi në peshën 75kg dhe Emiliano Xhediku në peshën 91kg.

Dy të parët vijnë pas një stërvitje disaditore që kanë zhvilluar në Asisi të Italisë, pikërisht në qendrën stërvitore të ekipeve kombëtare të këtij vendi. Ata edhe më përpara kanë qenë të grumbulluar në Shkodër dhe gëzojnë një forme shumë të mirë sportive.Trajneri Sermi në një prononcim për “SHKODRA SPORT” deklaron: “Sportistët tanë kanë kohë që stërviten për këtë Europian. Kuptohet që kemi pretendimet tona që të hyjmë në tetëshen e më të mirëve sepse nëse e arrijmë këtë gjë, boksierët tanë do të fitojnë të drejtën për t’u kualifikuar për në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në muajin gusht në Gjermani“. Edhe në pjesëmarrjet e tjera të boksierëve tanë në të tilla aktivitete, ata janë munduar të bëjnë me të mirën duke arritur edhe fitore, por pa u futur dot në zonën e medaljeve. Mbase ka ardhur momenti për ta arritur këtë gjë këtë herë në Europianin e Ukrainës.

© shkodrasport.com