Duke folur për lojtarët e rinj me të cilët furnizohen skuadrat e Superiores, Alban Bushi i mëshoi faktit që lojtarëve të sotëm të perspektivës u mungojnë orët e futbollit të rrugës, pra impenjimi në futboll përtej orarit zyrtar të stërvitjes.

“Problemi kryesor është mungesa e futbollit të rrugës. Nëse nuk ke futboll rrugësh, nuk mund të presësh kampionat të fortë. Pra, siç luanim ne katër pesë orë në ditë në rrugë. Mos prit të bëhet një futbollist një i ri me 1 orë e gjysmë futboll në stërvitje.

Vllaznia punon dhe ka futbollistë të rinj, janë lojtarë të mirë. Por që të jenë shumë cilësor u mungojnë ato orët e futbollit.

Një lojtar që është i talentuar nuk mund ta lësh që të udhëtojë për dy orë që të vijë në stërvitje, për shembull nga Lezha në Tiranë. Me këta lojtarë duhet të sillesh ndryshe, të investosh tek ata.”