Pak ditë më parë është ndarë nga jeta në moshën 86 vjeçare ish- futbollisti i Vllaznisë Buto Smaja. Karriera e tij ndonëse e shkurtër, ka lënë gjurmët e tij në rezultatet e ekipit shkodran teksa me vlerat që dispononte, ka ndihmuar në arritjen e rezultateve pozitive. Ka nisur të luajë herët futboll ndërkohë që në kampionatin e vitit 1952 rreshtohet për herë të parë me ekipin e të rriturve të Vllaznisë. Luan në pozicionin e mesfushorit dhe dallohet për disa tipare të mira dhe trajnerët Muc Koxhja e Rifat Rusi, jo më kot do ta aktivizojnë në formacionin e parë përkrah emrave të tillë të asaj kohe si Muhamet Dibra, Preng Gjeloshi, Kol Gjoni, Xhelal Juka, Qamil Medja, Adem Smajli, Zija Cungu, Eshref Dani, Ali Kullolli, Ali Tepelija etj. Luan me kuqeblutë vetëm për katër kampionate, pikërisht edhe atë të vitit 1953, 1954 dhe 1955 dhe më pas vendos të heqë dorë nga futbolli pasi vazhdon shkollën e lartë dhe pas saj, do angazhohej në fusha të tjera duke qenë një funksionar i lartë në periudhën e atyre viteve në Shkodër. Buto Smaja megjithatë për aq sa i ka dhënë Vllaznisë, do të kujtohet nga të gjithë sepse ka vënë një gur në ndërtimin e historisë së shquar të Vllaznisë në vite.

Gjergj KOLA