Javën e ardhshme, pikërisht më 20 maj, do të zhvillohet edicioni i rradhës i kupës “Agim Tafili” në çiklizëm. Edicioni i sivjetëm është lënë enkas nga organizatorët për t’u zhvilluar në këtë datë ngaqë ajo përkon me 55 vjetorin e lindjes së këtij kampioni të madh të këtij sporti. Sipas drejtuesve të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, kjo kupë do të zhvillohet me një etapë të vetme dhe itinerari i saj do jetë ai Lezhë- Shkodër. Në të do të marrin pjesë të gjithë çiklistët e ekipeve të vendit, ndër të cilët padyshim edhe ata të Vllaznisë. Siç dihet, muajin e kaluar u zhvillua një tjetër kupë në nderim të të tjera figurave të çiklizmit shkodran që nuk jetojnë më dhe pikërisht, në kujtim të pjestarëve të familjes Muriqi. Ajo garë u fitua nga çiklisti i Vllaznisë Bruno Kola, që mendohet të jetë pretendent edhe për fitoren e kupës “Agim Tafili”. Sipas njoftimit të FSHÇ-së, aktiviteti do të zhvillohet në të dyja kategoritë kryesore, kadetë e junior (elitë). Kategoria kadetë do të ketë një itinerart më të vogël, Lezhë-Shkodër, 40km e gjatë. Ndërsa kategoria elitë (junior, mosha U-23) do të jetë Tiranë-Shkodër, 98km e gjatë. Pritet një pjesëmarrje e gjerë dhe rivalitet në këtë turne.
Gjergj KOLA