Pas Xhevahir Sukajt, një tjetër futbollist shkodran shpallet kampion në një vend tjetër. Bëhet fjalë për Admir Telin. Mbrojtësi 34 vjeçar sot ka festuar gjatë pasi bashkë me skuadrën e tij Karabakh, është shpallur kampion i Azerbajxhanit. Ka ndodhur kështu pas fitores së sotme që ky ekip ka arritur ndaj Symaqyit me rezultatin 1-0 dhe me këtë trepikësh, skuadra e Telit, por edhe e shqiptarit tjetër Ansi Agolli, është shpallur kampione. Të dy lojtarët shqiptarë luajtën si titullarë në ndeshjen e sotme, por me Agollin që u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 90-të. Për të dy ky është titulli i dytë kampion në Azerbajxhan.


 Më 3 qershor, Agolli dhe Teli kanë shansin të fitojnë dhe Kupën e Azerbajxhanit pasi janë në finale me Neftci Baku. Në këtë mënyrë, futbollistët shkodranë po tregojnë se janë të suksesshëm edhe jashtë vendit duke u shpallur madje edhe kampionë me skuadrat e tyre respektive. Admir Teli ka vite që luan në Azerbajxhan dhe drejtuesit e klubit vazhdojnë të kenë besim tek aftësitë e tij. Natyrisht, kanë të bëjnë me një futbollist kampion dhe nuk kanë pse të heqin dorë kollaj prej tij.
Gjergj KOLA

 

 

Admir Teli dhe Ansi Agolli sot duke festuar shpalljen kampion te skuadres se tyre