Ashtu siç pritej, ekipi I atletikës së Vllaznisë është shpallur kampion I Shqipërisë në kampionatin e 20 vjeçarëve të zhvilluar pasditen e së enjtes në Tiranë. Atletët shkodranë kanë dominuar mbi të gjithë të tjerët duke treguar një epërsi të madhe ndaj ekipeve rivaled he në renditjen ekipore në fund të kampionatit, ato kanë qenë dukshëm të shkëputur prej tyre. Po ashtu, edhe disa sportistë kanë zënë vende të para në disa disiplina sportive ku kanë spikatur sidomos Ronaldo Quku që është shpallur kampion në 100 dhe 200 metra si dhe Gledis Halluni që është shpallur kampion në tre disiplina sportive.

Ky I fundit, në një intervistë për gazetën shkodrasport.com është prononcuar në lidhje me këtë sukses por edhe për objektivat e së ardhmes. “Në këtë kampionat ia arritëm qëllimit duke u shpallur kampion si ekip me diferencë të madhe pikësh nga ekipet e tjera. Po ashtu edhe në aspektin individual jam shumë i kënaqur sepse dola kampion në tre gara, në kërcim së gjati, trehapësh dhe stafetë 4x 100 m. Tashmë objektivi im është të thyej rekordin kombëtar në garën e trehapëshit dhe po ashtu, synoj që bashkë me ekipin të shpallemi kampion kombëtar me të rriturit në garat që do të zhvillohen muajin e ardhshëm”- ka thënë ai. Ndërkohë, në kampionatin e djeshëm, ka spikatur tek gara e vajzave edhe atletja e Vllaznisë Ilirjana Sadiku që është shpallur kampione në garën e kërcimit trehapësh duke treguar se edhe me femrat po punohet për t’u rikthyer sërish në nivele të larta.
Gjergj KOLA

 

Fituesit e garave – Të rinj

100m Ronaldo Quku (Vllaznia) 11″30

100m/p Soalbi Kaziaj (Tirana) 15″62

200 Ronaldo Quku (Vllaznia) 23″40

400m Edmond Murataj (Tirana) 51″27

400m/p Florian Lata (MSD) 1’00″02

800m Malvin Nikolla (Tirana) 1’58”47

1500m Mark Markaj (Teuta) 4’20”46

3000m Rei Bedinaj (Tirana) 10’06″75

5000m Rei Bedini (Flamurtari) 18’07”12

Së larti Laeri Kolaveri (Partizani) 1.75m

Së gjati Gledis Halluni (Vllaznia) 7.13m

3-hapsh Gledis Halluni (Vllaznia) 14.53m

Disk Klaudio Selamaj (Partizani) 44.80m

Shtizë Juri Hoxhalli (Skënderbeu) 46.46m

Fituesit e garave – Të reja

100m Iveta Urshini (Skënderbeu) 12″45

100m/p Sindi Prifti (Tirana) 17″33

200m Iveta Urshini (Skënderbeu) 25″36

400m Iljana Beqiri (Teuta) 1’03″51

800m Ejona Cufe (Tirana) 2’31″91

1500m Kristiana Hoxha (Flamurtari) 6’12”31

Çekiç Anxhela Dini (Dinamo) 20.56m

Disk Marsela Dini (Dinamo) 16.90m

Së larti Sindi Prifti (Tirana) 1.50m

3-hapsh Ilirjana Sadiku (Vllaznia) 9.84m

Së gjati Helena Buba (Skënderbeu) 4.72m

Gjyle Pamela Asllani (Partizani) 6.74m