U mendua se nuk do të kishte trajner tjetër deri në fund të kampionatit dhe skuadrën do ta drejtonte deri në fund Ardit Mani, por tek KF Shiroka nuk kanë menduar kështu. Ditën e sotme klubi shkodran ka prezantuar trajnerin e ri.
Bëhet fjalë për spanjollin Pablo Rios Freire. Ai është 41 vjeç i cili pas disa përvojave në vendin e tij, së fundi ka punuar në Kinë dhe tashmë do të provojë një eksperiencë të re në Shqipëri. Ja njoftimi i KF Shiroka.
“Klubi i Futbollit Shiroka është i lumtur të njoftojë emërimin e trajnerit të ri, Pablo Rios Freire, i cili do të marrë drejtimin e ekipit në fazën vendimtare të play-off-it.
Besojmë se përvoja, përkushtimi dhe idetë e tij do të ndikojnë pozitivisht në performancën e skuadrës dhe do të na çojnë drejt rezultateve të dëshiruara. I urojmë suksese në këtë rrugëtim të ri”.
Kujtojmë që kampionati i rregullt ka përfunduar për ekipin shkodran dhe ai e ka mbyllur në vendin e tretë të renditjes. Ai do ta luajë ndeshjet e parë të fazës play-off ndaj Erzenit dhe kuptohet që synimi i vetëm është fitorja. Drejtuesit e klubit kanë vënë objektiv ngjitjen në kategorinë e parë dhe tashmë me trajnerin Freire do ta tentojnë këtë gjë.
Kujtojmë që spanjolli është i pesti trajner që punon këtë sezon tek KF Shiroka. I pari, në gusht të vitit të kaluar që u prezantua si trajner ishte Ardit Mani, por pa kaluar shumë kohë këtë detyrë e mori përsipër Matias Tatangelo i cili u largua në fund të dhjetorit për të kaluar tek Iliria.
Në ditët e para të janarit u prezantua si trajneri i ri i Shirokës portugezi Andre Jasmins i cili në fakt qëndroi vetëm dy javë në Shkodër sepse në adresë të tij erdhi një ofertë e mirë nga Omani dhe drejtuesit e klubit ranë dakord për ta transferuar atje.
Në vend të portugezit në ditët e fundit të janarit erdhi italiani Emiliano Bonazzoli, por edhe ai nuk paska qenë e thënë të qëndrote gjatë sepse tashmë nuk është më në këtë detyrë. Ardit Mani u rikthy sërish për të punuar me skuadrën për disa javë dhe tashmë i pesti është spanjolli Pablo Rios Freire.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


