Vllaznia do rikthehet në fushën e lojës për një ndeshje të kampionatit ditën e shtunë, në orën 15:00, ku përballë do ketë Bylis. Duel që është i vlefshëm për javën e 27-të të Superiores dhe që mbyll edhe fazën e tretë të këtij kampionati. Ndeshja do luhet në ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës dhe me patjetër kuqeblutë duan fitoren.

Kjo për shumë arsye, duke nisur nga rezulatet e dobëta të javëve të fundit që kanë ndikuar në garën për titullin dhe kreun. Patjetër kërkohet një reagim duke parë edhe objektivat madhorë që ka skuadra, ku arritja e 3 vendeve të para në renditje është objektivi minimal i klubit, ku ai maksimal mbetet ai për të fituar titullin kampion.

Por gjithashtu edhe nga ndërrimi i trajnerëve, tashmë Vllaznia do drejtohet nga Auron Miloti, që ka pasuar të larguarin Josa. Ish-sulmuesi që mbulonte rolin e drejtorit teknik deri më tani, tashmë ka marrë frenat e skuadrës.

Kjo edhe duke pasur përkrah një tjetër emër të madh të futbollit shkodran dhe atij shqiptar si Vioresin Sinani. Kurioziteti për të parë Vllazninë e ‘re’ është shumë i madh, pasi tifozët presin një fytyrë tjetër të skuadrës.

Të gjithë duan një ekip shumë më sulmues dhe kjo nga dyshja Miloti-Sinani duket se garantohet në njëfar mënyre. Patjetër objektiv parësor është fitorja, por edhe një lojë bindëse dhe sulmuese do ishte shumë e rëndësishme për vijimësinë e sezonit.
Endri ÇINARI