Pas Frenklin Ntepesë, Andi Hadrojit, Alush Gavazajt, nuk ka të ndalur hemorragjia te Bylisi. Të larguarit e radhës te ballshiotët janë dy lojtarë që nuk kanë pasur hapësirë aktivizimi.

I pari është portieri Mirza Durakoviç nga Maqedonia e Veriut, që në pesë ndeshjet e fundit të vitit të shkuar u aktivizua si titullar pasi u dëmtua rëndë në kokë Alban Miftari në ndeshjen e Peqinit.

Durakoviç erdhi te Bylisi verën e shkuar dhe firmosi një kontratë 6-mujore, por pas afrimit të Oltion Harremit, një prej portierëve më eksperiencë në Kategorinë e Parë, u pa e udhës që të mos vazhdohej me maqedonasin.

Përveç Miftarit dhe Harremit, ballshiotët kanë në ekip edhe portierin e ri e me perspektivë, Renato Beqaj. Kujtojmë që Mirza Durakoviç luajti 6 ndeshje me skuadrën e parë të Bylisit, me një minutazh prej 451 minutash.

Ndërsa largimi tjerët ka të bëjë me mesfushorin Ismet Osmani, i cili ashtu si Durakoviç erdhi në Ballsh në verën e shkuar. Bylisi ka shumë alternativa dhe kualitetet në mesfushë, gjë e cila ia bëri të vështirë Osmanit që të gjente hapësira aktivizimi. Ndonëse ndërprerja e bashkëpunimit është bërë tani, ai është ndër të larguarit e parë nga mallakastriotët, që pas përfundimit të fazës së parë.

HUAZOHET ALINANI – Duke pasur grupin e dubluar thuajse në çdo repart, te Bylisi ka vend edhe për huazime. Një nga lojtarët e rinj dhe të perspektivës, Klaus Alinani, është huazuar te Butrinti. Lajmin e zyrtarizon vetë presidenti i mallakastriotëve, Besnik Kapllanaj.

Mesfushori i qendrës që është pjesë e Bylisit prej dy vitesh, është parë e udhës që të huazohet te sarandjotët, ku mund të ketë më shumë hapësira për të luajtur dhe treguar veten. 20-vjeçari më herët ka qenë pjesë e Luftëtarit në Superiore dhe më pas u transferua në Ballsh.