Bylisi mund të kthehet në “supermarket”. Nuk janë të paktë lojtarët që kanë spikatur në dy sezonet e fundit në elitë dhe pëlqehen nga ekipe të ndryshe. Duke qenë se pjesa dërrmuese kanë kontrata, vendimi final i takon klubit.

Këta të fundit do të tregohen të matur për këtë pjesë, pasi duan të mbushin edhe arkat. Në kësi kushtesh, askush nuk mund të largohet pa paguar. Duke filluar nga Qirko e për të kaluar tek Ymeralilaj, Stojanoviç, Loran, Janku, Preka, Hadroji, Qardaku, Desançic apo Antoni janë në “lupë”.

Ballshiotët kanë shitur edhe më parë lojtarë, madje edhe në klube të huaja dhe kjo strategji do të vazhdojë. Merkatoja e verës do të sjellë zhvillime, ndërsa puna e trajnerit Dovedan bashkë me presidentin Kapllanaj e nisur tri vite më parë mund të japë frytet e veta edhe në Kategorinë e Parë.

Kujtojmë se vetëm në sezonin që sapo u mbyll, ballshiotët arkëtoi të ardhura nga bashkëpronësia e Gresild Likës apo edhe shitjet e Valentino Muratajt e Donald Mëllugjës.