Fabio Cannavaro mban një rekord të çuditshëm të “Topit të Artë” që as Cristiano Ronaldo dhe as Lionel Messi nuk e kanë arritur kurrë. Mbrojtësi e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij në Itali, duke luajtur për Napolin, Interin dhe Juventusin, përpara se të transferohej te Real Madridi.

Momenti i tij më i madh erdhi në vitin 2006, kur ai e udhëhoqi Italinë drejt lavdisë në Kupën e Botës. Italia pësoi vetëm dy gola gjatë gjithë turneut, duke mbajtur portën e paprekur pesë herë, ndërsa mposhti Francën në finale.

Atë vit Cannavaro ngriti “Topin e Artë”, duke u bërë vetëm mbrojtësi i tretë në histori që e arrin këtë pas Franz Beckenbauer dhe Matthias Sammer. Që atëherë, trofeu është dominuar nga Ronaldo dhe Messi, të cilët, së bashku, e kanë fituar çmimin 13 herë.

Por Cannavaro mban një rekord unik, si lojtari i vetëm që ka fituar ndonjëherë “Topin e Artë” në të njëjtin sezon ku klubi i tij ra nga kategoria. Juventusi fitoi dy tituj radhazi në ligë në vitet 2005 dhe 2006, por iu hoqën ato dhe ranë në Serie B pas skandalit të njohur si Calciopoli.

Disa lojtarë, përfshirë Gianluigi Buffon, qëndruan për ta rikthyer Juventusin në ligën e parë, por shumë të tjerë, përfshirë Cannavaron, u larguan. Ai u bashkua me Real Madridin për 7 milionë euro dhe kaloi tre sezone në kryeqytetin spanjoll, duke fituar dy tituj të La Ligës gjatë asaj kohe.

Pas tre vitesh, ai u rikthye te Juventusi si lojtar lirë, por periudha e tij e dytë zgjati vetëm një sezon. Cannavaro është një nga disa lojtarë të profilit të lartë, përfshirë Zinedine Zidane, Gonzalo Higuain dhe Alvaro Morata, që kanë luajtur si për Juventusin ashtu edhe për Real Madridin. Këto klube do të takohen të mërkurën, më 22 tetor, në “Santiago Bernabeu” në kuadër të Ligës së Kampionëve të UEFA-s.