Silvio Rodrigues Pereira Junior, sul muesi brazilian i kuqebluve, që me dy golat e tij i dha kualifikimin Vllaznisë në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, është optimist se do të vijojë që t’i dhurojë të tjera fitore skuadrës së tij. Një gjë të tillë Junior kërkon ta bëjë që këtë javë në përballjen ndaj Teutës.

Sulmuesi brazilian ka folur edhe për mikpritjen që ka gjetur pas rikthimit në skuadër, por edhe për ndryshimet te Vllaznia në krahasim me vitin e shkuar që ishin në Kategorinë e Parë. 25-vjeçari në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” ka shprehur besimin se Vllaznia ka brumin për të qenë më lart në fund të sezonit duke siguruar një biletë për në Europë.

Shënuat dy gola në Vlorë dhe Vllaznia kualifikohet në çerekfinale. Sa i kënaqur jeni me ndeshjen e dytë të Kupës?

Jam i kënaqur, pasi kemi zhvilluar një lojë të mirë, që u finalizua me një rezultat pozitiv. Po ashtu jam i kënaqur që arrita të shënoj dy herë, pasi është një premisë e mirë edhe për të ardhmen time.

Si ndiheni me këtë rikthim në Shkodër dhe sa kanë ndryshuar gjërat, nga Vllaznia që latë?

Ndihem mirë këtu dhe jam i lumtur që u ktheva sërish. Gjërat kanë ndryshuar shumë. Kanë ardhur shumë lojtarë të tjerë, të cilët nuk kanë qenë në atë periudhë dhe mund të them se gjithçka ka ndryshuar për mirë. Lojtarët cilësorë e ndihmojnë klubin të forcohet dhe që të ketë një fytyrë tjetër.

Prej jush priten golat, ashtu si në Kategorinë e Parë. Sa mund të realizoni deri në maj?

E di që prej meje priten gola, kjo është puna ime. Nuk dua të flas për numrat personalë, por të ndihmoj Vllazninë me më të mirën time. Të shënoj sa më shumë që të fitojmë në çdo takim.

Të dielën luani në Durrës me Teutën, kundërshtar që do ta keni përballë edhe në Kupë. Sa e njihni këtë skuadër?

Ne duhet ta harrojmë ndeshjen kundër Tiranës, ndaj kemi filluar të punojmë për takimin me Teutën që pas kthimit nga Vlora. Për ne do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por do të shkojmë në Durrës për ta fituar këtë sfidë.

Renditja është shumë e ngjeshur dhe shanset e Vllazninë janë sa për Europë po aq edhe për “play-out”. Ku e shikoni skuadrën shkodrane në fund të sezonit?

Unë preferoj që të flas takim pas takimi. Duhen marrë ndeshjet njëra pas tjetrës dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë. Kemi një ekip të mirë dhe mund të synojmë për më lart në kampionat. Pse jo, me qëllim Europën.

Keni filluar të mësoni gjuhën shqipe?

Nëse po, na thoni ndonjë fjalë? Jo…(qesh). Di vetëm 2 ose 3 fjalë, mizor, pilaf dhe pulë.

Kush ju bindi që të riktheheshit te Vllaznia?

Drejtuesit. Unë vendosa të kthehem dhe ata pranuan me shumë dëshirë.

A i kishit ruajtur kontaktet me lojtarët me të cilët keni luajtur më herët te Vllaznia dhe çfarë ju kanë thënë gjatë kohës që ishit i larguar?

Po, unë bëra miq këtu. Isha gjithnjë në kontakt me portierin Sherri dhe ne flisnim për kampionatin, për jetën, gjërat normale.