I zhgenjyer qe i iku fitorja nga duart, trajneri i Kastriotit Emiliano Çela pas ndeshjes eshte shprehur se skuadra e tij do te vazhdoje te punoje shume per te arritur objektivat qe ka, pavaresisht se organika e tij e stolit nuk jep shume garanci. Ja si eshte shprehur ai pas barazimit 1-1 ndaj Kukesit:

“Detyrohemi të pranojmë rezultatin. Humbën 2 pikë, por më duhet të përgëzoj ekipin për lojën e zhvilluar pavarësisht se në fund u ndëshkuam nga një autogol. Nuk patën fat për të siguruar 3 pikët. Për mendimin tim është një pikë e mirë për mënyrën si erdhi dhe si na kapi. Do vazhdojmë të punojmë për t’u përmirësuar.

Me Santiagon jam shumë i kënaqur i cili ka bërë disa ndeshje shumë të mira pasi ne e kemi mbështetur që vjen. Pati një dëmtim prandaj nuk luajti të gjithë ndeshjen. Është një djalë që po vazhdoi kështu do ketë një të ardhme të mirë.

Për këtë ndeshje kishim një punë të madhe nga ana psikologjike, duke pasur parasysh edhe pozitat e kundërshtarit, pasi lojtarët mund ta nënvlerësonin. I bëmë një filtrim Barbozës duke i vënë nga pas Karakaçin, sepse në shumicën e dyluftimeve e dinim që sulmuesi kundërshtar do i kapte. Jam i kënaqur me ekipin me lojën që bëmë sot, sigurisht që prisja më shumë për të mbyllur ndeshjen më herët. Alternativat në stol i kemi larg nivelit të lojtarëve që janë në fushë.

Më vjen keq që nga trajneri i kombëtares cilësohemi si një ekip inferior, por po përballemi si të barabartë ndaj të gjithëve. Jemi të pamposhtur ndaj ekipeve kryesuese dhe do kisha dëshirë që Kastrioti të përfaqësohej me lojtarë në kombëtare. Nuk i di kriteret dhe nuk mund të them asgjë”, ka thënë mes të tjerash Çela.