Ekipet e Akademisë Shkodra kanë luajtur ditën e djeshme ndeshjet e rradhës në kampionat, me tre grupmoshat e tyre, U-17, U-19 dhe U-13. Të tre këto ekipe kanë marrë respektivisht një fitore, një barazim dhe një humbje ndaj ekipeve të Bylis.

Fillimisht, në fushë do të ishte Shkodra U-17, e cila e drejtuar nga trajneri Semir Gogaj, arriti të marrë një fitore të rëndësishme me rezultatin 2-0 ndaj Bylisit, me gola të shënuar nga Medha dhe Serxho Prendi.

Me këtë fitore, ky ekip është ngjitur në vendin e dytë në renditje, në kuotën e 13-pikëve në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani. Shkodra U-17 po bën një kampionat shumë të mirë dhe jo më kot, renditet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, duke pësuar vetëm një humbje deri më tani.

Pas U-17, në fushë do të zbriste Shkodra U-19 në ndeshjen po ndaj Bylisit. Kjo sfidë midis këtyre dy ekipeve u mbyll me barazimin 2-2, në ndeshjen e luajtur në fushën sportive në Shtoj të Ri.

Ata që kaluan të parët në avantazh ishin ballshiotët në pjesën e parë me dy gola, duke e mbyllur këtë 45-minutësh me rezultatin 0-2 në favor të tyre. Ndërkohë, në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Ersi Çaku, reagoi dhe barazoi me dy gola të shënuar nga Gjelaj dhe Agraja në fund të ndeshjes, që përfitoi nga një moskoordinim i portierit dhe mbrojtësve të Bylisit.

Tashmë, ndeshja nuk do të zgjaste shumë dhe do të mbyllej me rezultatin final 2-2. Një pikë me mjaft vlera për Shkodra U-19 për mënyrën se si shkoi ndeshja, duke marrë në konsideratë se në pjesën e parë, Bylisi ishte në avantazh 0-2.

Pas këtij barazimi, ekipi i trajnerit Ersi Çaku renditet në vendin e 10-të në tabelën e klasifikimit, në kuotën e tre pikëve në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani. Shkodra U-19 ka ardhur duke i përmirësuar rezultatet dhe shpreson që ta përfundojë sezonin, duke qenë në vendet e para të renditjes. Realisht, mundësitë janë dhe stafi drejtues, me në krye trajnerin Çaku, po punon mirë.

Ndërkohë, Shkodra U-13 është mundur në ndeshjen po ndaj Bylisit me rezultatin 2-4. Ekipi, i drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi, pas fitores së javës së kaluar, ka humbur në ballafaqimin e sotshëm ndaj ballshiotëve.

Dy golat e vetëm për 13-vjeçarët shkodranë u shënuan nga Likaj dhe Çilaj, por që nuk rezultuan vendimtarë, pasi në fund ata u mundën nga Bylisi me rezultatin 2-4. Pas këtij barazimi, Shkodra U-13 renditet në vendin e 11-të në tabelën e klasifikimit, në kuotën e pesë pikëve në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani. /Maringlen ZHIVANI/


U-17: Shkodra-Bylis 2-0

Golat: Medha 14’, Prendi 59’

Formacioni i Shkodra U-17: Shkambaj, Meti, Skuqaj, Medha, Bizi, Prendi, Ymeraj, Rrahi, Taramani, Danaj, Gëlqerja (u aktivizuan: Dibra, Mehja, Lumaj) Tr: Semir Gokaj


U-19: Shkodra-Bylis 2-2

Golat për Shkodra U-19: Gjelaj 86’, Agraja 90’+1

Formacioni i Shkodra U-19: Vitaj, Nikaj, Guri, Gjelaj, Limani, Agraja, Hoxhaj, Curraj, Luani, Hyseni, Ujka (u aktivizua: Hysaj) Tr: Ersi Çaku


U-13: Shkodra-Bylis 2-4

Golat për Shkodra U-13: Likaj, Çilaj

Formacioni i Shkodra U-13: Xhilaj, Tafa, Livalli, S. Prendi, A. Prendi, Çilaj, Ndou, Osja, Gjekaj (u aktivizua: Likaj) Tr: Rudi Piraniqi