Trajneri i Kastriotit, Emiljano Çela, ka deklaruar se shihet tendenca për të nxjerrë krutanët nga Superiorja. Pas sfidës, ai theksoi se fitorja e Tiranës vinte me një gol të parregullt e jo vetëm kaq.

“Nuk dua të bëj fare analizë taktike, po dal para kamerave për respekt se nuk kam qejf fare të dal se çfarë kuptimi ka kur goli i kundërshtarit vjen me stopim me dorë, pozicion jashtë loje. Para aksionit kishte 2-3 parregullsi, gjatë gjithë lojës arbitri ishte i njëanshëm hapur në favor të Tiranës. Asnjë faull në favorin tonë.

Pastaj ishte momenti i fundit kur dy lojtarë dalin me të kuq. Isha i lumtur që po mbyllja ndeshjen me 11, por arbitri na ruajti surprizë të hidhur në fund,. Nuk e kuptova arsyen, i pashë me vëmendje situatat dhe nuk e kuptova, çfarë kishin bërë të mitë, atë kishin bërë edhe të Tiranës. Ishim ne ata që u dënuam dhe ndëshkuam.

Është keqardhje sepse me çfarë po shoh edhe ju po e shihni, edhe ne po e shohim pavarësisht se jemi në ankthin e ndeshjes dhe emocionet, por kemi fituar eksperiencën që të jemi të qetë, e kanë ndarë mendjen. Kastriotin nuk e duan më në Superiore. Nga të gjitha që kanë ndodhur dhe po ndodhin, po e shohim. Kisha parë shumë situata të tilla në karrierë por në mënyrë kaq të dhunshme të nxjerrin një ekip, nuk më kanë ndodhur.

Them të dhunshme se kemi të paktën 8 ndeshje, çdo gjë që bëjmë përkthehet në të keq. Të gjithë lojtarët që u ndëshkuan me Kukësin ishin ata që rrezikonin pezullimin. E filluam javën me Kodrën në formacion, dy ditë para ndeshjes marrim lajmin që dënohet shumë ndeshje. Unë kaq kisha për të thënë, nuk kam çfarë të shtoj më tepër.

Sa u përket lojtarëve jam i kënaqur pasi ishim me 4 lojtarë jashtë pozicioneve natyrale. Onanuga e Zogaj ishin të përshtatur në mbrojtje. Sinqerisht jam i kënaqur se atë që punuam, e realizuam. Mund të bënim diçka më shumë në mbajtjen e topit, mund të gjenim qetësinë me më shumë stacione, ia dolëm mirë, por goli i Tiranës erdhi në aksion të parregullt, ishte faull në nisje, prekje topi me dorë, kur lojtari i Tiranës doli në driblim dhe këndorja ishte e parregullt.

Arbitri ishte jo vetëm në këtë ndeshje, kemi parë edhe më keq. Nuk më mbetet vetëm t’i uroj suksese Tiranës, është hera e dytë që fiton në këtë mënyrë me në. Është e dhimbshme të humbësh ndeshjen në minutat e fundit, më vjen keq më shumë që dolën me te kuq se duhet të bëj formacionin nga e para me Vllazninë. Më vjen keq që nuk i kam bërë federim Kulit se do më duhej shumë në këtë ndeshje”, tha Çela për “Oversport”.