Vllaznia do të luajë të premten ndaj Teutës, takim i vlefshëm për javën e 11-të të Superiores. Dje ekipi kuqeblu i është kthyer punës për këtë sfidë, ku në Shkodër zhvilloi seancën e parë për këtë transfertë, që do të luhet në fushën asnjanëse të “Elbasan Arenës”.

Trajneri Brdariç e ka pasur të plotë grupin, por shqetësuese mbeten ambientet stërvitore të Vllaznisë, që janë rënduar së tepërmi nga reshjet e fundit. Për këtë shkak, drejtuesit e klubit e kanë parë të udhës që skuadra të migrojë në Durrës ku për dy ditë të stërvitet në kushte më të mira.

Një gjë e tillë është konfirmuar tashmë dhe gjatë paradites së sotme ekipi dhe stafet teknike e mjekësore do të lënë Shkodrën për t’u vendosur në Durrës, aty ku do të zhvillojë dy seanca stërvitore në prag të ndeshjes me Teutën.

Kuptohet që kjo gjë ka një kosto financiare, megjithatë drejtuesit e klubit ia kanë plotësuar kërkesën stafit teknik duke i dhënë mundësinë ta përgatisë si duhet sfidën me Teutën, që është shumë e rëndësishme.

Kushtet atmosferike me shira të shumtë gjatë këtyre ditëve në Shkodër kanë vështirësuar terrenet stërvitore të skuadrës.

Kjo ndeshje i ngjan një turi me disa stacione për Vllazninë, që për ironi të fatit përgatitjet për Teutën i nis në Shkodër, më pas zhvendoset për dy ditë në Durrës dhe ndeshjen do ta luajë në Elbasan si mysafir i “djemve të detit”.