Florian Zekja, presidenti i vajzave të volejbollit të Vllaznisë ka folur së fundmi për nisjen e kampionatit. Ai tha se pavarësisht humbjes në debutim kundër Partizanit, është shumë optimist për sezonin. Ndërsa thekson se fanella kuqeblu imponon këdo për të luftuar për vendet e larta të renditjes.

Zekja u shpreh duke thënë: “E kemi nisur kampionatin me një humbje kundër Partizanit. Ata janë ekipi më i fortë ndoshta dhe më me eksperiencë i këtij edicioni. Sepse kanë një grup që prej vitesh luajnë bashkë. Unë jam optimist dhe dua ta shoh gotën gjysmë plot.

Ne kemi një ekip me të reja që po integrohen me elementët e eksperiencës dhe të huaja që kemi marrë. Që realisht janë lojtare shumë cilësore dhe e kanë vërtetuar në sezonin e shkuar. Besoj se do reagojmë kundër Skënderbeut, që ka ndoshta të njëjtin zhvillim si ne.

Objektivi i sezonit ? Automatikisht kushdo që vesh fanellën kuqeblu, imponohet që të luftojë për vendet e para. Prandaj edhe ne duhet të jemi atje, në krye.

Largimet? Kanë qenë me dëshirën e vajzave, ne nuk kemi përjashtuar asnjë dhe nuk besoj se do e bëjmë ndonjëherë”.
Endri ÇINARI