Te Vllaznia do të ketë detyrimisht edhe një revolucion sa i takon organikës së skuadrës, sepse shumë futbollistëve u ka përfunduar kontrata me klubin. Numri i tyre është i konsiderueshëm, janë plot 9 lojtarë që tanimë janë të lirë nga Vllaznia dhe një pjesë e tyre nuk janë marrë në konsideratë nga ana e drejtuesve të klubit kuqeblu.

“Jemi në periudhë vlerësimi”, ka thënë Xhaferi me pak diplomaci për këtë çështje. Lojtarëve që u ka përfunduar kontrata janë emrat që këtë sezon kanë kontribuuar shumë te Vllaznia, duke filluar nga portieri Alen Sherri e për të vazhduar me të tjerët. Kapiteni Gilman Lika, zëvendësi i tij Ardit Krymi, mesfushori Ndriçim Shtubina dhe po ashtu edhe mesfushori tjetër, Herald Marku, kanë mbyllur zyrtarisht kontratën me kuqeblutë.

Në këto kushte janë edhe mbrojtësit Renato Malota, Dejan Shehi dhe moldavi Maksim Cojecaru. Kontrata i ka përfunduar edhe mesfushorit brazilian, Hygor Gonçalves, duke e çuar kështu në 9 numrin e lojtarëve që janë në pritje të një përgjigjeje të klubit kuqeblu për sa i përket vazhdimësisë.

Sponsori i ri i klubit shkodran, Alban Xhaferi, është shprehur se për të gjithë këta lojtarë do të vendoset më vonë, duke lënë të kuptohet se përzgjedhjen e futbollistëve të sezonit të ri do ta bëjë stafi i ri teknik, ndaj dhe për momentin po fitohet kohë në këtë drejtim.

Objektivi është për të ndërtuar një Vllazni sa më kompetitive, por duket e vështirë të bësh gjithçka nga e para dhe 9 lojtarë të larguar do të ishin shumë.