Me sezonin që po shkon drejt fundit, te PSG kanë nisur të planifikojnë merkaton e radhës. Si gjithnjë parizienët janë në kërkim të emrave të bujshëm për të përforcuar organikën me drejtorin e kryeqytetasve, Luis Campos që së fundmi vendos në shënjestër sulmuesin e Napolit, Victor Osimhen.

Një lajm aspak i mirë për shumë klube europiane që kërkojnë shërbimet e nigerianit pasi në këtë moment Parisi duket shumë i vendosur për të nënshkruar me 24-vjeçarin. Sipas RMC Sport, sheiku i PSG, Al-Khelaifi është i gatshëm të paguajë deri në 100 milionë euro për Osimhen.

Megjithatë, nuk janë vetëm paratë në favor të PSG, pasi në klubin francez do të tentojnë të shfrytëzojnë edhe njohjen e vjetër të drejtorit Campos me Osimhen. Ishte pikërisht Campos ai që besoi i pari Osimhen pasi në sezonin 2018/19 e transferoi te Lille nga belgët e Charleroi. Dyshja ruan një marrëdhënie korrekte dhe në këtë formë, nuk do të jetë e vështirë për të bindur Osimhen të zgjedhë transferimin në Francë.

Nga ana tjetër, një tjetër faktor pozitiv është edhe Kylian Mbappe. Sulmuesi pret me padurim që në skuadër të mbërrijë një numër 9 i pastër, pasi kështu Mbappe mund të mendonte për shumë për korsinë e majtë të sulmit që është edhe pozicioni i tij i preferuar.

Mbappe gjithashtu është i bindur nga kualitetet e Osimhen dhe mendimi i tij është mjaft i rëndësishëm për klubin francez. Ndaj pritet që në verë, PSG të jetë e gjitha në sulm për Osimhen që deri më tani falë 21 golave në 27 ndeshje me Napolin është edhe golashënuesi më i mirë në Serie A.