Vllaznia do të luajë ditën e sotme ndeshjen e kthimit me Partizanin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, teksa në këtë takim ekipi shkodran ka nevojë të madhe për mbështetjen e tifozëve.

Për ndeshjen në fjalë, ka folur edhe Gëzim Çoçja, njëri prej tifozëve shumë të njohur në qytetin e Shkodrës, sportdashës i hershëm i kuqebluve, prania e të cilit në mbështetje të Vllaznisë shikohet, jo vetëm në stadiumin “Loro Boriçi”, por edhe në të gjithë stadiumet e Shqipërisë ku luan Vllaznia.

Çoçja u shpreh se këtë ndeshje pritet të jenë 5-6 tifozë në shkallët e stadiumit, ndërsa bëri edhe njëherë thirrjen që Vllaznia të mbështet maksimalisht ndeshjen e sotme ndaj Partizanit.

“Besoj që këtë rradhë me Partizanin, do të jenë 5-6 mijë tifozë. Të paktën, duhet të jenë aq, mos ndoshta edhe më shumë. Unë jam një ndër ta, që para pak vitesh kam bërë thirrje të mbushet stadiumi “Loro Boriçi” për ta mbajtur Vllazninë në Superiore.

Unë do u bëj thirrje të gjithë tifozëve të Vllaznisë që të mos mungojnë në ndeshjen e sotme Vllaznia-Partizani. T’i mbushim shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” dhe ta mbështesim ekipin deri në fund”,-tha gjatë prononcimit të tij, sportdashësi i Vllaznisë, Gëzim Çoçja.
Maringlen ZHIVANI