Nuk ka qenë vetëm aktivizimi i Kristi Qoses surpriza e madhe e Edi Rejas në ndeshjet e nëntorit, por edhe lënia jashtë e Lindon Selahit.
Edhe pse i grumbulluar dhe në formë të mirë, djaloshi i talentuar ishte grumbulluar nga trajneri por ndoqi nga stoli të 90 minutat ndaj Andorrës, ndërsa ishte në tribunë për duelin kundër Francës, duke mos gjetur hapësira aktivizimi edhe pse po luan rregullisht në Holandë.
Futbollisti nuk kishte asnjë lloj shqetësimi fizik, siç e tregon fakti se në klubin e tij e kanë pritur krahëhapur “të çlodhur” nga kombëtarja dhe e kanë hedhur në fushën e lojës për 90 minuta në ndeshjen e sotme ndaj Venlo, të humbur 2-1 nga skuadra e tij.
Selahi shihet si një nga futbollistët më me perspektivë për mesfushën kuqezi dhe aktivizimi i tij vetëm pak çaste ndaj Moldavisë bëri që të sigurohej që djaloshi të mbetej pjesë e Shqipërisë edhe në të ardhmen, në një moment kur interes për të kishte shfaqur edhe Kosova e Belgjika.
Por lënia jashtë në ndeshjet e nëntorit, ku Reja bëri jo pak eksperimente, ka çuditur të gjithë. Sidomos aktivizimi para tij i Qoses, duke llogaritur se Selahi luan në një kampionat më të fortë dhe nuk kishte probleme fizike si ato që kishin shoqëruar Qosen në muajin e fundit. /vipsport/