Vllaznia ka bërë mirë deri tani dhe pavarësisht oshilacioneve në ndeshjet e fundit, ajo e ka forcën dhe mundësinë për ta ruajtur vendin e parë deri në fund. I këtij mendimi është shprehur ish- sulmuesi i njohur i Besës, Luftëtarit dhe Partizanit Edmond Kodra.

Në një prononcim të dhënë për mediat, njeriu që aktualisht mban edhe detyrën e zëvendëstrajnerit të Besës, e vlerëson shumë paraqitjen e skuadrës shkodrane deri tani.

“Në fillim të sezonit, pretendimet e Vllaznisë ishin për të shkuar në Europë, por më pas duhet ta pranojmë se ka bërë një sezon madhështor. Po ashtu është normale që në javët e fundit ka vuajtur disi sepse siç ajo ka marrë masa për kundërshtarët, edhe ato tani marrin masa si ta ndalin Vllazninë.

Ajo është një skuadër ofensive, që luan lart dhe kuptohet që lë hapësira prapa. Në dy javët e fundit në fakt ka hasur në vështirësi. Me Partizanin ndoshta ka marrë edhe një barazim me fat, ndërsa me Laçin humbi.

Këto oshilacione janë normale për Vllazninë sepse ka bërë siç e thashë një kampionat madhështor deri më tani. Kryeson me 6 pikë më shumë se ndjekësja më e afërt dhe tashmë do të ndjejë gjithnjë e më shumë presionin e skuadrave të tjera.

Kuptohet që oreksi i saj tashmë është rritur dhe natyrisht që do ta synojë titullin kampion. Kalendari e favorizon sepse ka përpara dy ndeshje të lehta në letër, por janë ndeshje që duhen vlerësuar maksimalisht sepse ato vendosin shumë për titullin kampion”- ka deklaruar Kodra./SHKODRA-SPORT.COM/