Ishte përfolur se ishte pranë rikthimit në krye të volejbollit shkodran! Tashmë është zyrtare: Artan Kalaja do të jetë trajner i parë i volejbollit tek Vllaznia. Ai ka firmosur sot kontratën me KS Vllaznia dhe pasdite ka nisur stervitjen me ekipin.

Ka qenë një kerkesë e trajnerit të derisotëm Ermal Kraja që Artan Kalaja të rikthehej tek Vllaznia si trajner i parë, ndërsa ai vetë si ndihmës apo zëvendëstrajner. Një gjest i rrallë që meriton vlerësimet maksimale në nivelin njerëzor por edhe profesional.

Kjo lëvizje në volejbollin shkodran vjen ndërsa Vllaznia do të bëjë federimin e lojtarëve dhe të stafit teknik për kampionatin e ri, kampionat ky që starton të dielën që vjen. Kalaja ka një eksperiencë të jashtëzakonshme, gati tre dekada në trajnim. Madje, mund të konsiderohet si personi që “ringjalli” volejbollin e meshkujve në Shkodër, duke e ngritur në nivele shumë të larta kombëtare.

Në ndeshjen e javës së parë, Vllaznia do të presë në Shkodër ditën e dielë ekipin e Elbasanit dhe kuptohet që dëshira është për ta nisur me fitore.

Volejbollistët kuqeblu pritet të jenë pretendentë në sezonin e ri, pavarësisht se problem për ta mbetet gjendja fizike sepse deri para pak ditësh ata nuk janë lejuar të stërviten në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, megjithatë stafi pritet të bëjë më të mirën dhe Vllaznia të jetë ndër ekipet pretendente për fitimin e trofeve.