Barazimi i sotëm pa gola nuk është rastësi për Vllazninë e këtij kampionati. Ai është i pesti për sivjet. Seria e tyre ka nisur me Bylisin në fazën e parë në Ballsh, ka vijuar me atë ndaj Teutës në Durrës, me Luftëtarin në Shkodër, me Tiranën në kryeqytet dhe sot ndaj Teutës.

Në 13 ndeshje, 5 barazime 0-0 janë treguesi më i mirë i krizës së sulmit kuqeblu. Ka shënuar vetëm 11 gola në 13 ndeshje, një mesatare kjo shumë e ulët për një skuadër si Vllaznia që është shquar gjatë gjithë historisë së saj për një lojë ofensive.

Pas ndeshjes me Tiranën dy javë më parë, zëvendëstrajneri Osja deklaroi për mediat se me shumë siguri tashmë skuadra e kishte gjetur sulmuesin ngaqë braziliani Uenderson zhvilloi një ndeshje të mirë në “Selman Stërmasi”. Shpresat ishin të ndodhte kështu, por jo.

Ky lojtar ka qenë sot në fushë si titullar për rreth 80 minuta dhe nuk bëri asgjë të veçantë. Më pas hynë në lojë edhe Kruja, Shtubina e Zogaj por asnjëri nuk arriti të shënonte golin e shumëpritur.

Prandaj dhe drejtuesit e klubit dhe stafi teknik duhet të mendojnë shumë shpejt gjetjen e një sulmuesi cilësor për në janar. Nëse do ta kishin aktualisht dhe të kishte shënuar qoftë edhe dy gola të vetëm në pesë barazimet e mësipërme, atëherë Vllaznia sot do të ishte në kuotën e 21 pikëve dhe do të ishte në vendin e dytë të renditje. Por gjithmonë duke thënë, nëse….

Katër ndeshjet e fundit të Vllaznisë:

Java 10 Laçi- Vllaznia 3-0
Java 11 Vllaznia- Bylis 0-1
Java 12 Tirana- Vllaznia 0-0
Java 13 Vllaznia- Teuta 0-0