Trajnerët e Tiranës e kanë të pamundur të punojnë siç duhet. Ky është opinioni i gazetarit sportiv, Fatmir Mëneri, në intervistën e dhënë për ABC News, i cili dyshon se po bëhet gjithçka për të larguar teknikun Ahmataj.

Shumë e vështirë të dalë nga ky qerthull. Tek Tirana duket se vazhdon cikli i krizave të trajnerëve, diçka që mund të sjellë një tjetër ndryshim në stol, ndërsa për një gazetar të vjetër sportiv si Fatmir Mëneri, nuk shihet dritë në fund të tunelit.

Mëneri flet kështu, për ABC News, pas deklarimit të teknikut Ahmataj për dorëheqje. “Vërtetë gjërat aty nuk shkojnë. Është gati-gati e pashpresë, që nuk sheh mundësi riparimi të gjërave, nëse realisht ajo që ndodh aty është nën petkun e këtyre ndërhyrjeve, që e bëjnë të pamundur punën e një trajneri.

Mëneri dyshon se tek Tirana po arrihet deri në skaj të së keqes. “Kur arrin në kufij të tillë që e bën të pamundur qëndrimin e një trajneri në krye të skuadrës – pavarësisht nga rrethanat se si ka ardhur, çfarë makinacionesh janë përdorur – kjo tregon që gjëra aty nuk shkojnë.

Ajo që është e shëmtuar, është se janë të gatshëm njerëzit të manipulojnë rezultatet e skuadrës, pra punojnë në dëm të saj vetëm e vetëm për të hequr një trajner”.